DYLON

Muharrem Sahiti, këshilltar i Ministrit Shala

Avatar photo Redaksia

(2L ONLINE) – Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala tashmë ka emëruar edhe këshilltarin për sport. Fjala është për Muharrem Sahitin. Sahiti ka konfirmuar detyrën e re, duke thënë se do të përkushtohet maksimalisht. “Në mandatin e ministrit Shala unë do të jem këshilltar i tij për sport. Ministrin e kam njohur më parë dhe gjithmonë e kam respektuar. E di se mund të bëjë gjëra të mëdha. Edhe në të kaluarën ka shfaqur aftësi të jashtëzakonshme si menaxher. Është përkrahës i madh i sportit dhe ka njohuri të mëdha për të. Si i ri ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Besës”, theksoi Sahiti pas marrjes së detyrës.

Sipas tij, MKRS i dinë problemet e sportit dhe bashkërisht do të punojnë në bazë të ligjeve dhe mundësive buxhetore.

EkoHigjiena

Sahiti nuk ka harruar ta falënderojë edhe Memli Krasniqin për punën e bërë. “Memli Krasniqi ka bërë një punë të madhe. Na mbetet të vazhdojmë aty ku e ka lënë ai dhe t’i realizojmë gjërat që kërkohen. Natyrisht, pas pranimit të KOK-ut, është obligim edhe më i madh të punojmë veçmas në infrastrukturë”, përfundoi Sahiti, i cili në këtë post e zëvendësoi Malsor Gjonbalajn. Ndryshe, Sahiti këtë post e kishte gëzuar edhe në kohën kur ministër i sportit ishte Valton Beqiri.

Ndihmëstrajner i Përfaqësueses

Muharrem Sahiti është edhe ndihmës i përzgjedhësit të Kosovës në futboll, Albert Bunjaki. I pyetur se sa mund të përkushtohet në të dyja anët, Sahiti thotë se kjo nuk përbën ndonjë problem. “Kjo nuk përbën ndonjë problem. Edhe në të kaluarën kemi pasur pozicionet të përafërta. Do të shohim si do të koordinohemi”, tha Sahiti.

Përkrahje për të gjithë

Duke ditur të kaluarën e Muharrem Sahitit, futbolli mund të jetë prioritet nga të gjitha sportet. Mirëpo, trajneri thotë se të gjitha sportet do të kenë përkrahje. “Dashtë e pa dashtë futbolli si sporti më masovik do të ketë përkrahje siç ka pasur gjithmonë, pa i anashkaluar edhe sportet tjera. Ministri do t’i cakton prioritetet dhe ne do t’i ndihmojmë me ato mundësitë që i kemi”, pohoi Sahiti. /Drilon SYELJMANI/ 2L ONLINE/