/2L ONLINE/ – Organizuar nga Federata e Shahut e Kosovës, në Prizren. në Kolegjin “Mehmet Akif”, u mbajt Kampionati individual i radhës në shah për grupmoshat e reja të Kosovës. Kampionati pati gara për grupmoshat e reja të dy kategorive dhe u mbajt për tri ditë. Lojërat u zhvilluan me sistem tradicional zviceran po me plotësim sipas nevojës për raste të jashtëzakonshme me sistemin e Buholcit.
Me rëndësi për ne është së në kategorinë deri në 16 vjeç mori pjesë në garë një shahist nga Gjilani, mjaft i talentuar, Muhamet Asllani, dhe që zuri vendin e parë! Gara u zhvillua në nëntë meçe dhe të nëntë meçet Muhamet Asllani i fitoi bindshëm dhe u shpall kampion i Kosovës në shah për grupin deri në 16 vjeç.
Muhamet Asllani shkoi në gara në Prizren me ndihmën e Klubit të Shahut “Gjilani” kryetar i të cilit është Femi Halimi, i cili thotë se i hoq shpenzimet e duhura këtij garuesi dhe e përkrahu të merrte pjesë në turnir, ndonëse edhe vet si klub është në gjendje të vështirë sepse nuk ka as lokal as mundësi aktive të punës sepse nuk ka as përkrahje nga komuna as nuk ka interesim të shahistëve për shah.
“Shahistë ka në qytetin tonë më shumë se nga cilido vend i Kosovës, porse pasi nuk ka lokal të shahut, shahu në qytetin tonë e në anën tonë të tri komunave është njëherë përnjëherë në zero dhe ky është rast përjashtues në krejt Kosovën”, thotë Halimi.
Duke njohur Muhamet Asllanin dhe duke pasur përkrahjen e Femi Halimit kryetarit të klubit te shahut “Gjilani”, kryetari i Federatës Nysret Avdiu e pranoi atë të merrte pjesë në garë edhe pse nuk ishte anëtar klubi me dokumentacion sepse këtë dokumentacion të nevojshëm nuk e ka as klubi i shahut vetë.
Muhamet Asllani kështu mori pjesë me sukses në garë dhe zuri vendin e parë. Federata i dha këtij shahisti gjilanas për këtë Kupën e të parit, Diplomën e shahut nga Federata si dhe një libër shahu.
Muhamet Asllani ka kupë, medale dhe diplomë edhe më parë nga garat e shahut dhe është një talent i jashtëzakonshëm e entuziast i madh i shahut, mirëpo ka gjendjen e vështirë sociale dhe nuk ka as mundësitë elementare për ta mbajtur entuziazmin siç kërkohet tani.
Është mirë sipas mundësive që Klubi t’ia gjej një laptop që me të mbaj shahun si duhet e lypset tani si dhe të mbaj kontaktet e rregullta me Federatën për pjesëmarrje të rregullta në Turnirët e këtilla individuale nëpër Kosovë po edhe jashtë Kosovës.
Tani kur Kosova po fiton të drejtat të dal në botë dhe të merr pjesë në ngjarjet europiane e botërore të sportit edhe shahut po i vijnë ditë të mira dhe të perspektivës. Ndër sportistë shembullorë që do ta përfaqësonin Kosovën është edhe Muhamet Asllani, që me pak përkrahje dhe ndihmë e përkujdesje do të zhvillohet sigurisht në një shahist me renome botërore, thotë Halimi. /2L ONLINE/