Muaji Rozë – Mbështetja psikologjike krahas trajtimit mjekësor
Shkruan: Nevzat Shemsedini
Përtej diagnozës, analizave dhe trajtimeve mjekësore, ekziston një botë e brendshme e mbushur me frikë, pasiguri, pyetje pa përgjigje, por edhe me shpresë dhe dëshirë për të vazhduar jetën.
…dhe përtej diagnozës është një grua, një histori, një botë emocionesh dhe një nevojë për shpresë.
Prandaj përballja me kancerin e gjirit nuk është vetëm një sfidë fizike, por edhe një përvojë e thellë emocionale dhe psikologjike.
Marrja e një diagnoze të tillë mund të përbëjë një tronditje të madhe emocionale. Brenda një çasti, mendimet mund të mbushen me pyetje: Çfarë do të ndodhë tani? A do të mund ta përballoj? Si do të ndikojë kjo sëmundje në jetën time dhe të familjes sime? Çfarë do të ndryshojë në trupin tim, në marrëdhëniet e mia dhe në mënyrën se si e perceptoj veten?
Frika, ankthi, pasiguria, trishtimi dhe zemërimi janë reagime njerëzore që mund të shfaqen gjatë këtij rrugëtimi. Pikërisht në këto momente, krahas trajtimit mjekësor, merr rëndësi të veçantë edhe mbështetja psikologjike. Mbështetja psikologjike e ndihmon pacienten të përballet me ankthin dhe stresin, të njohë dhe të kuptojë emocionet e saj, të aktivizojë burimet personale të përballimit dhe të zhvillojë strategji më të përshtatshme për t’u përballur me sfidat e sëmundjes dhe të trajtimit. Ajo mund të kontribuojë gjithashtu në ruajtjen e cilësisë së jetës, në përmirësimin e komunikimit me familjen , komunitetin dhe ekipin shëndetësor, si dhe në përballimin e pasigurisë gjatë trajtimit dhe rikuperimit.
Është e rëndësishme të kuptojmë se trajtimi mjekësor synon të trajtojë sëmundjen, ndërsa mbështetja psikologjike kujdeset për mirëqenien emocionale dhe psikologjike të pacientet që po e përjeton atë. Këto dy dimensione nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën, por plotësojnë njëra-tjetrën në funksion të një kujdesi më të plotë, më njerëzor dhe më gjithëpërfshirës.
Në këtë rrugëtim, edhe gjestet e vogla mund të kenë një domethënie të madhe. Një fjalë e ngrohtë, një përqafim i mirëpritur, një dëgjim i vëmendshëm apo thjesht prania e sinqertë e dikujt mund ta ndihmojnë gruan të ndihet e kuptuar dhe më pak e vetmuar. Nuk është gjithmonë e nevojshme të gjejmë fjalët e përsosura; shpesh mjafton të jemi të pranishëm, të dëgjojmë pa gjykuar dhe të mos e minimizojmë dhimbjen e tjetrit.
Muaji Rozë nuk duhet të jetë vetëm një muaj ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit, por edhe një thirrje për më shumë empati, mirëkuptim dhe mbështetje psikologjike.
Andaj, të kujdesesh për shëndetin do të thotë të kujdesesh edhe për botën emocionale të njeriut. Krahas mjekimit, le të ofrojmë empati, mbështetje dhe shpresë, sepse askush nuk duhet të ndihet i detyruar ta përballojë sëmundjen i vetëm.
Le të jemi pranë tyre me mirëkuptim, kujdes dhe dashuri – sepse çdo ndjenjë pozitive ushqen shpresën dhe fuqinë për të jetuar.
Këshillë:
Për një mirëqenie më të mirë shëndetësore dhe psikologjike, është e rëndësishme që pacientet të reflektojmë mbi këto pika të trasha :
1. Të kuptohet dhe të pranohet sëmundja – pranimi është hapi i parë drejt përballimit me lehtësi dhe shërimit.
2. Të flitet lirshëm për sëmundjen, si në familje ashtu edhe në shoqëri.
3. Të forcohet vetëbesimi dhe motivacioni për të jetuar me shpresë dhe guxim.
4. Të kultivohet energjia pozitive, duke u fokusuar tek përmirësimi, jo tek pasojat.
