Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Bordi i Shkollimit Specialistik i MSh-së dhe anëtarët nga Komisioni i ekspertëve nga IKSHP kanë mbajtur një punëtori me qëllim të reformimit të procesit të shkollimit specialistik.
Ky proces i nisur nga Ministria Procesi synon të zhvillohet në disa faza:
Faza e parë konsiston në përgatitjen e një baze të të dhënave lidhur me gjendjen aktuale të specialistëve dhe specializantëve në tre nivelet e Kujdesit Shëndetësor, duke analizuar thirrjen profesionale, vendin e punës, institucionin shëndetësor dhe moshën e specialistëve; Faza e dytë ka të bëjë me standardizimin dhe unifikimin e programeve specialistike të të gjitha lëmive sipas standardave evropiane dhe faza e tretë- ka të bëjë me akreditimin ndërkombëtar të programeve specialistike.
Në punëtori janë analizuar të dhënat e marra nga institucionet shëndetësore me qëllim të koordinimit të nevojave dhe planifikimit me kohë të ngritjes së resurseve humane të profileve përkatëse sipas nevojave të institucioneve shëndetësore. Githashtu, është punuar në drejtim të përgatitjes së normativave kadrovike dhe standardet për sistemin shëndetësor të Kosovës me qëllim të zhvillimit të mëtejmë dhe vendimarrës në planifikimin dhe zhvillimin e resurseve njerëzore dhe kapaciteteve në sistemin shëndetësor.
Përfundimi i fazës së parë të këtij procesi të reformimit të specializimeve do të mundësoj që për herë të parë që nga paslufta, të bëhet planifikimi afatgjatë i nevojave për specializime të veçanta mjekësore dhe konkursi për specializime do të jetë i bazuar në nevoja reale të institucioneve shëndetësore të të gjitha niveleve dhe në përputhje me Strategjinë zhvillimore të burimeve njerëzore të Ministrisë së Shëndetësisë.