DYLON

MSh dhe OBSH shënojnë Ditën Botërore të kancerit

Avatar photo Redaksia

Me moton: “Ne mundemi, unë mundem”, Ministria e Shëndetësisë, Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit, shënuan sot përmes një konference për media 4 Shkurtin-Ditën Botërore kundër Kancerit.

Në këtë konferencë, u tha se shumë lloje të kancereve mund të parandalohen duke shmangur ekspozimin ndaj faktorëve të përbashkët të rrezikut, siç është tymi i duhanit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e kancereve mund të shërohen në mënyrë kirurgjike, me terapi rrezatimi apo kimioterapi, sidomos nëse ato zbulohen herët.

EkoHigjiena

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se Dita Botërore kundër është një moment i mirë për të fuqizuar përpjekjet individuale dhe kolektive për parandalimin e kësaj sëmundjeje dhe zvogëlimin e barrës së saj, si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe në atë social e ekonomik.

Gjithashtu, shtoi Ministri, një mundësi e mirë për të analizuar të arriturat, sfidat dhe hapat e ardhshëm për një parandalim dhe kontroll më efektiv të sëmundjes.

Në këtë rrafsh ai tha se MSh përmes Bordit për Kontrollin e Kancerit ka arritur të nxjerrë dhe fuqizojë fletëparaqitjen e sëmundjeve malinje dhe është hartuar Programi Kombëtar për Kontrollin e Kancerit; është miratuar Ligji për Kontrollin e Duhanit si kontribut i drejtpërdrejt; anë rritur fondet për trajtimin jashtë QKUK-së të rasteve të leukemisë dhe sëmundjeve të rënda kirurgjik ashtu edhe në aplikimin e Kimioterapisë, Radioterapisë, Shërimit paliativ ditor dhe Diagnostikës së gjirit; etj. Ministri ka theksuar se në radioterapi (në Onkologji) është shkurtuar koha e pritje që është më e shkurtra në rajon, afërisht e njëjtë me vendet e BE-së dhe brenda ditës trajtohen deri në 70 raste, kurse në Kimioterapi trajtohen prej 100-210 raste brenda një dite (12 orëve). Ai ka përmendur edhe përmirësimin e furnizimit me citostatikë që në vitin 2015 në Onkologji ka arritur deri në mbi 90 %, suksesin e projektit të Mamografisë mobile, përmirësimin e raportimit të sëmundjeve malinje etj.

Në këtë aspekt, Ministri ka falënderuar edhe partnerët si OBSH, UNFPA, OJQ Jeta Vita, Grupin e Grave Deputete, Task- Forcën Kosovare, Shoqatën e Onkologëve, Projektin Hope (SHBA) si dhe profesionistët shëndetësor për rezultatet e arritura.

Ai tha se qëllimi i ditës së sotme është që gjithashtu të shprehet një solidarizim me të gjithë të prekurit, ndërkohë që theksoi se parandalimi i hershëm shpëton jetë.

Shefi i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, Skënder Syla tha se kanceri është një problem global i shëndetit publik, ndërsa incidenca e kësaj sëmundjeje është në rritje në Rajonin Evropian të OBSH-së. “Numri i përgjithshëm i rasteve të reja të diagnostikuara të kancerit në vitin 2012 ishte 3.7 milionë dhe deri në vitin 2030, ky numër vlerësohet që do të rritet për 25% për të arritur në 4.6 milionë”, tha dr. Syla.

Duke rikujtuar se kjo rritje në botë është rezultat i rritjes së moshës së popullsisë dhe një numri të madh faktorësh si përdorimi i duhanit e alkoolit, dietat jo të shëndetshme, mos aktiviteti fizik, mbipesha në rritje, ekspozimi në karcinogjen profesional e mjedisor, dr. Syla ka kërkuar nga autoritetet shtetërore që të rrisin vëmendjen ndaj kësaj sëmundje, të zbatojnë një qind për qind Ligjin për Kontrollin e Duhanit dhe të avancohet me zhvillimin e programeve të skriningut të kancerit.

Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, kryetare e Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit dhe gjithashtu e Task Forcës Kosovare kundër Kancerit, tha se qëllimi i këtyre mekanizmave kundër kancerit është që të arrihet një unifikim i veprimeve profesionale për të siguruar një qasje shumë dimensionale në diagnostikimin, parandalimin dhe trajtimin e kancerit në Kosovë.

“Me që kanceri është vrasës prijës i shëndetit në botë, që kërkon qasje multidisplinare, përfshire diagnostikimin, parandalimin, trajtimin, pasjeje e teknologji të reja, profesionistë të përgatitur, do të punojmë që të gjitha hallkat të veprojnë mirë, përfshirë edhe kujdesin paliativ”, tha dr. Manxhuka. Ajo tha se fokusi i Bordit të ri për Kontrollin e kancerit do të jetë planifikimi i regjistrimit të rasteve , parandalimi dje trajtimi (detektimi i hershëm i rasteve) si dhe trajtimi dhe kujdesi paliativ.

Për çdo vit, më 4 shkurt, OBSH dhe Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtime mbi Kancerin (IARC) mbështet Unionin Ndërkombëtar për Kontrollin e Kancerit (UICC) për të nxitur mënyra që lehtësojnë barrën globale të kancerit.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.