Shkruan: Prof. dr. Zejnepe ALILI REXHEPI
“Për një gotë verë” është i pari roman i Odise Plakut (megjithëse përvoja e tij në prozë është më e hershme), që vjen si një akt letrar për të parë ndikimin konceptual në idenë e labirintit – idenë e misterit, që ngrihet si kurth në jetën e çiftit bashkëshortor.
Në lexim të parë ngjarja të fut në refleksione dashurie me ardhjen e verës, stinë që të vë në kërkim të romancës ose përjetimin e veç do grimcave romancash në mungesë të përsosmërisë së jetës. Libri të bën që ta lexosh me ëndje dhe të shtyn të pyesësh: çfarë ka të jashtëzakonshme në këtë histori?
Gjithçka duket si një fillim i ëndërruar. Harmonia midis çiftit Nardi–Xhulia dukej kulmore derisa mes tyre pllakos mosbesimi dhe dëshpërimi. Fillin e problemit do të përpiqemi ta zbulojmë duke u bazuar në psikologjinë e individit të rënduar e shpresëhumbur.
Kur jeta, e skicuar midis traditës dhe kulturës universale, merret si mjet loje, na përfshin në analizën ndikuese të shpjegimit të së vërtetës nga akti i ndodhisë deri tek akti i rrëfimit, ndonëse përgjatë kësaj linje përshkohen variacione hamendësimesh: për të pathënat (që e gërryejnë besimin e gruas) dhe frika për përsëritjen e të njëjtit veprim, si baraspeshë semiotike midis “lojës” ai–ajo. Në kuptimin thelbësor, të dy protagonistët vihen në paralelen: shënjuesi – i shenjuari. Në procesin e të rrëfyerit (nga Nardi) midis çiftit bashkëshortor krijohet problemi i perceptimit (nga Xhulia) dhe vijon drejt problemit të logjikës, sado që e dimë se njeriu gabon, pasi nuk është krijesë hyjnore.
Romanca e një vere
Postulati i parë i romanit: refleksion dashurie.
Një romancë e bukur për t’u admiruar. Nisma e rrëfimit me përshkrimin panoramik të ecjeve nëpër Parkun e Madh të Tiranës, pastaj te kryqëzimi i Librit Universitar, “Karlsbergu”, Garda e Republikës, Kodrat e Liqenit Artificial, parku “Triangolo”, parku “Rinia”, kafe “Flora”, 15-katëshi, Muzeu Historik të krijon bindjen se ngjarja do të jetë një aventurë dhe eksplorim i protagonistit në ambientet ku vendoset rrëfimi. Këtë ndjesi romani “Për një gotë verë” ta jep që në faqet e para, ku dukshëm nis e përshkruhet një romancë me ardhjen e verës dhe e ndjek këtë trajektore ngjarjesh deri në përfundim, pavarësisht ulje-ngritjeve të papritura të jetës. Përshtypja e parë, si kornizë konceptuale e vendosur mbi këndvështrimet e lëvizjeve të protagonistëve, përftohet pa trysninë “naive” të kritikës për rëndësinë e librit apo të mesazhit që jepet në formimin e brezit me përgjegjësinë e traditës. Nëse mund të lexojmë me bindjen për të qenë të përmbushur emocionalisht dhe shpirtërisht, gjithçka tjetër mbetet dinamikë konceptesh. Në realitet sfondi narrativ dhe lufta psikologjike e personazheve të përzgjedhura na ofrojnë më shumë se kaq.
Një fillim jete plot harmoni, dashuri e respekt merr kthesën e rrezikshme në përshkallëzimet pas aksidentit automobilistik të çiftit, kur Xhulia gjymtohet fizikisht dhe humb një pjesë të rëndësishme të shpirtit të saj: frytin e dashurisë së tyre të madhe, që pritej të vinte së shpejti në jetë, e bashkë me të edhe mundësinë për t’u bërë ndonjëherë nënë. Një nga goditjet më të mëdha që mund të përjetojë një grua.
Nga kjo dhimbje e thellë Xhulia mbyllet në vetvete, aq sa humb ndjesinë për kohën, për miqtë, dashurinë dhe jetën. Nardi sado që përpiqet ta mbajë veten dhe ta ndihmojë të shoqen, nuk ia arrin dot. Një ditë, duke u ndodhur para një ngjarjeje të papritur, ai tundohet nga një femër tjetër, por nga ai gabim “pa dashje” jeta e tyre lëshohet në dramën e pakuptimtë për të dy, megjithëse vetë Nardi del përbindësh me ligësinë e pakuptimtë të ndodhisë së vogël, që jetën e tyre do ta vërë përpara sfidës së madhe: mbijetesës. Pas kësaj Xhulia, gruaja e shkathët, profesioniste e zonja, e guximshme, e pasfidueshme, vihet në një luftë të ashpër me të shoqin, edhe pse arsyeja e kësaj lufte ngadalë fillon ta humbasë kuptimin. Është pikërisht psika e individit, që ngufatet në mjegullnajën e paqartësisë, mosbesimit, xhelozisë. Jeta e tyre merr teposhtën e gati shkatërrohet. Kjo është e kuptueshme në luftën mes çiftit kur tendosen telat e durimit burrë–grua. Me kalimin e javëve dhe muajve fillon të ndihet një komunikim disi i lodhur, njëanshmëria e gjykimit të ngjarjeve, ndërprerja e paraleles ndërlidhëse midis tyre. Akumulimi i dëshpërimit ngrihet në kulmin e durimit njerëzor, si pamundësi e arritjes tek e vërteta, gjë që gruan e bën përherë dyshuese. Shqetësimi më i madh për të është ajo që kërkon të zbulojë më pas duke ndjekur çdo lëvizje të të shoqit dhe jo ajo që realisht kishte ndodhur dhe rrëfyer nga i shoqi. Nata e rrëfimit të tij kthehet në çast dëshpërimi të rëndë, gati në shkallë depresioni, për gruan e tij të bukur dhe sakaq ua rrënon ëndrrat e përbashkëta.
Këto personazhe na bëjnë të kuptojmë se askush nuk u reziston ulje-ngritjeve të jetës, as bashkëshortët e lumtur, as miqtë më të mirë, sepse nganjëherë të gjithë humbasin në vorbullën e paqartësisë, të dyshimit dhe xhelozisë së tyre. Kjo bën që jeta e njerëzve të marrë kthesa deri në shkatërrim e më pas të reflektojnë, duke pritur që të ndodhë mrekullia. Deri atëherë çdo gjë është e nënkuptueshme. Shtëpia shndërrohet në teatër, ndërsa shpirti prangohet në qelinë ku ironia dhe dhimbja ngrenë pushtet mbi ndërgjegjen, humanizmin, dashurinë, duke mos e shmangur përligjjen e njerëzores si domosdoshmëri.
Tjetërsimi, humbja e ndërgjegjes
E analizuar në kohëzgjatje, gjithçka ndodh brenda një hapësire jo shumë të gjatë kohore: vetëm disamuajshe. Shtjella e ngjarjes vendoset në konturet e mosbesimit, sepse mendja e njeriut është si uji, që del nga burimi dhe vijon e rrjedh në drejtim të lumit edhe pa freskinë e dikurshme. Përroi psikik (sipas Xhojsit) nuk e ka më kthjelltësinë e mëparshme përderisa dashuria zhbëhet, apo ndoshta ajo ndodhet po aty ku kishte lindur dikur, por e mbuluar me tisin e inatit, kokëfortësisë, krenarisë mospërulëse si rezultat i xhelozisë, ngacmuar nga gabimi “pa dashje” i Nardit.
Lëmshi ngatërrohet më shumë kur mosbesimi thyen gjithmonë copëza shpirti, të cilat vështirë se ngjiten më. Ankthi, pagjumësia, dhimbja e kokës, lodhja deri në shkatërrim për Xhulian bëhen një realitet i përditshëm, sepse lëvizjet e saj me karrocë e mbyllin vetëm brenda mureve të shtëpisë. Përveç këtyre ajo moralisht vazhdon të qëndrojë e paprekshme si një Shën Mëri, megjithëse zgjedh të mos heshtë, prandaj kritikon, gjykon e godet vazhdimisht mbi “viktimën”. Asnjë mendim të arsyeshëm nuk përmban më tërësia e thënieve të saj, aq sa alegoria e shndërron dukurinë e tradhtisë në koncept dhe konceptin në figurë, pra njeriun përballë e bën pothuajse të pandjeshëm.
Pastaj befasisht ndryshon. Nuk i mjafton as tradita zakonore për privilegjin e burrit, as teoria moderne se burrat tradhtojnë. E humb sensin njerëzor, pasi aksidenti, jeta në karrocë, sherret me Nardin e kanë tjetërsuar, e kanë egërsuar, e kanë lodhur, andaj fillon “lojën” e hakmarrjes, duke treguar luhatje për miqësinë e Nardit, keqardhje për kohën e shkuar dëm pa e kuptuar gjendjen shpirtërore të Leos, apo duke e shfrytëzuar praninë e fizioterapistit në shtëpinë e saj, edhe pse ai në jetën e Xhulias ishte vetëm një terr i ndritshëm përkohësisht. Ndërkaq dy meshkujt e tjerë, Nardi dhe doktor Leoja, mbeten miq të vërtetë në jetën e saj, që e mbështesin në çastet më të vështira.
Duke e njohur psikologjinë e individit dhe karakterin e personazhit të përzgjedhur, shkrimtari përdor formulën semiotike, veçmas teksa e zbraz fuçinë e së keqes: tallje, fyerje, ironi, mallkime nga një grua e lënduar, e tradhtuar, që përngjet me një kronikë frojdiste. Ndërthurja e skenave i përngjet teatrit kompleks, ku drama sa vjen e rëndohet, megjithëse e tëra duket më shumë inskenim, sajesë sesa realitet i pasur me dëshmi. Adresimi i fajit nuk është edhe aq i drejtpërdrejtë, sepse gjithçka rreth asaj ndodhie mbetet një enigmë, por një gjë dihet: ironia dhe mllefi janë përherë aty për ta gërvishtur psikën e gruas që të reagojë në shenjë hakmarrjeje.
Xhulia nuk është grua tradicionale. Përpara një gabimi ose padrejtësie nuk zgjedh heshtjen-flori, as fjalët e rralla ndryrë në arkë, por është impulsive, shpërthen, derdh vrer sa herë që i jepet mundësia. Ajo e njeh traditën që u bashkëngjitet vlerave bashkëkohore shoqërore, ku të gjitha mjetet e lojës së fatit duhet të kenë unitet veprimi, që nga shënimi i ngjarjes mbi pulsin e zemrës, ashtu dhe vlera ideale të edukimit. Ndihet e pafat, sepse të pakta ishin ditët e saj me fat, pasi pëson fatkeqësi të njëpasnjëshme. Edhe pse punon fort për ta ngritur veten, jeta e vë para sprovave të vazhdueshme dhe e mposht. Mirëpo papritmas ndodh mrekullia. E kupton që pas daljes nga humnera e skëterrshme e shpirtit lind dielli sërish.
Pas leximit të romanit, sipas praktikës kronologjike, në përfundim, për të ofruar katarzën e duhur, kërkojmë nyjën e ngatërresës, fijen e fajit, që pa dyshim na del shumë i zbehtë, më tepër si një e vërtetë që ende e gërryen besimin, derisa shtëpia shndërrohet në teatër, ku ironia dhe dhimbja ngrenë pushtet mbi ndërgjegjen, humanizmin, dashurinë.
Për nënvizimin e psikologjisë së tillë të protagonistes së romanit autorin Odise Plaku e ndihmon mjaft përvoja e përgjithshme në letërsi. Ai di se si t’i ilustrојë tema të tilla, rrënimin e ëndrrave, zhgënjimin dhe gjithçka që të servon jeta si një udhëtar i saj. Po në këtë kompleksitet ndjenjash na shfaqen edhe personazhet e tjera: Nardi, Sandra, Stefani, Fatmiri, Luli, Albiona, Leoja, Ajla.
Kthimi apo rizgjimi i njerëzores vjen në fund, kur Xhulia e gjen çelësin e arsyes jo vetëm në shpirtin e saj, por edhe realisht, lidhur diku mbi derën e shtëpisë së vjetër të prindërve, aty ku ishte strehëza e një lumturie të dikurshme. Me një narrativë tejet dinamike, megjithëse pa ndonjë filozofi të thelluar, lindin dilemat rreth strukturës së “lojës”, sepse tashmë hakmarrja e Xhulias më tepër ishte kthyer në një domosdoshmëri, që kulmon me një dramë tronditëse, por fatmirësisht kjo përfundon me paqe.
Në jetë njeriut i shfaqet ylli udhërrëfyes jo vetëm një herë, andaj gjithkush, sikurse protagonistët e romanit, meritojnë një mundësi të dytë. /2LONLINE/