Ministria e Punëve të Brendshme ka shënuar sot 23 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Shërbyesve Civil. Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, uroi të gjithë punonjësit civil të Republikës së Kosovës për punën e madhe që po bëjnë në të mirën e shtetit dhe të qytetarëve.
“Përkundër gjendjes së pandemisë, që e ka kapluar tërë botën, shënimi i kësaj ditë në Republikën e Kosovës ka një rëndësi të veçantë, sidomos në këtë vit, kur Ministria e Punëve të Brendshme, në agjendën e saj, ka fillimin e zbatimit të pakos së re ligjore në Administratën Publike, kërkesë kjo e shumëpritur nga nëpunësit civilë”, tha ministri Veliu.
Ai shtoi se mundësia e zhvillimit të shërbimit civil dhe e ngritjes së kapaciteteve shpërfaqë më së miri aftësinë e shtetit për tu marrë me reformat dhe me plotësimin e kritereve të domosdoshme nga procesi i integrimeve evropiane të vendit.
Në fund të kësaj ceremonie u bë ndarja e 63 mirënjohjeve për kontributin dhe angazhimin e nëpunësve më të dalluar të vitit paraprak.
Dita e Shërbyesve Civil, 23 Qershori, ka filluar të shënohet me vendim nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2002.