DYLON

MPB shënoi Ditën Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz

MPB shënoi Ditën Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz
Avatar photo Redaksia

Ministria e Punëve të Brendshme sot shënoi 18 tetorin, Ditën Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz dhe njëkohësisht bëri hapjen e fushatës një mujore Kundër Trafikimit me Njerëz.

Hapjen e kësaj ceremonie e bëri ministri i MPB-së, z. Agim Veliu, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, z.Thaçi, Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Hoti, si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi special i BE-së z. Szunyog.

Gjatë kësaj ceremonie ministri Veliu theksoi se duke u referuar statistikave të viteve të fundit në Republikën e Kosovës ka një rënie të rasteve të trafikimit me njerëz dhe kjo ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve të Kosovës.

EkoHigjiena

“Për gati dy dekada, parandalimi i trafikimit njerëzor ka qenë një detyrë prioritare e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila ka realizuar angazhimin e saj për eliminimin e këtij fenomeni me masa të shumta, gjithashtu duke caktuar koordinator kombëtar kundër trafikimit dhe krijimin e Autoritetit Kombëtar Kundër Trafikimit që nga viti 2008”, tha ministri Veliu.

Më tej, ai shtoi se Policia e Kosovës ka arritur që gjatë periudhës janar-shtator 2020 të bëjë identifikimin e 11 viktimave të trafikimit me njerëz, arrestimin e 59 personave të dyshuar për veprat penale të trafikimit dhe veprave që ndërlidhen me trafikimin, si dhe ka paraqitur 18 kallëzime penale në prokuroritë përkatëse për veprat e trafikimit me njerëz dhe atyre që ndërlidhen me trafikimin.

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, deklaroi se Kosova ka arritur të krijonte infrastrukturë ligjore që lufton trafikimin e qenieve njerëzore.

“Kosova i është mirënjohëse Bashkimit Evropian për parandalimin e trafikimit me qenien njerëzore. Trafikimin mund ta mundim vetëm duke bashkëpunuar”, tha Presidenti Thaçi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti theksoi se rënia e rasteve të trafikimit me njerëz ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve.

Ai theksoi se prioritet i Qeverisë është parandalimi i trafikimit me njerëz pasi që është shkelje fondamentale e të drejtave të njeriut.
Ndërsa Përfaqësuesi Special i BE-së në Prishtinë, z. Tomas Szunyog, tha se lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore nuk është individuale por duhet të jetë një luftë e përbashkët pasi që është një fenomen global.

Ai u zotua se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë institucionet e Republikës së Kosovës në luftimin e këtij fenomeni negativ.

Fushata Kundër Trafikimit me Njerëz do të zgjasë një muaj dhe synon ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe fuqizimin e ndërgjegjësimit mbi këtë fenomen./2LONLINE.com/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.