Me qëllim të vlerësimit të punës dhe sakrificës së çmueshme të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët humbën jetën duke mbrojtur rendin kushtetues dhe ligjin, në harmoni me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Bajram Rexhepi, me rastin e festave të fundvitit nxori vendim për mbështetjen e familjeve të zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës.
Kjo mbështetje do të bëhet për 14 familje të zyrtarëve policorë, në vlerën prej 500 euro për secilën nga familje të tyre.
Ministria e Punëve të Brendshme përmes këtij vendimi shpreh mirënjohjen për misionin e shenjtë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Gjithashtu, zotohet që të vazhdojë me ofrimin e mbrojtjes institucionale për familjarët e zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës. /koha/