Ministria e Punëve të Brendshme(MPB) së bashku me Qeverinë e Zvicrës kanë organizuar dialogun e tetë me radhë për migrim, ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Në këtë takim dy ditor, është biseduar rreth trendëve të migrimit, bashkëpunimit policor, luftimin e krimit të organizuar etj.
Me këtë rast, Qeveria e Kosovës dhe Këshilli Federal Zviceran kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi–Krijimi i Partneritetit për Migrim, midis Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Izmi Zeka, tha se ky dialog që buron nga Marrëveshja e Mirëkuptimit në mes të dy shteteve për krijimin e partneritetit në fushën e migrimit, ka qenë dhe do të mbetet themeli i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit reciprok në mes të dy shteteve.
“Ky bashkëpunim, ka rezultuar në mbështetjen që ka Zvicra për Kosovën, si në sferën diplomatike, ashtu edhe në programet zhvillimor”, tha zëvendësministri Zeka.
Projekti që financohet nga Qeveria Zvicerane dhe që ndihmon konsolidimin e autoriteteve për menaxhimit e migrimit në Kosovë, krijon një qasje ndër-sektoriale dhe ndër-institucionale për menaxhimin e migrimit në Kosovë.
Gjithashtu, delegacioni zviceran, kanë vizituar Qendrën për Azilkërkues dhe Qendrën Kombëtare për Menaxhim të Kufirit.