(2LONLINE) – Mbajtja e garave në lëndën e matematikës në Gjilan ka një traditë 30 vjeçare. Dikur këto gara i organizonte Enti Pedagogjik i Gjilanit nën udhëheqjen e profesorit të matematikës Isak Haziri. Dy vitet e kaluara këto garat i ka organizuar Shoqata e Matematikanëve nën udhëheqjen e arsimtarit Femi Sylejmani. Këtë vit garat i ka organizuar DKA, të cilat janë mbajtur nën mbikëqyrjen e një këshilli organizativ në përbërje të 7 mësimdhënësve. Ajo që i dallon garat e këtij viti është fakti se përherë të parë është bërë vlerësimi i jashtëm i nxënësve (detyrat janë hartuar nga “Plusi” i Tetovës).
Gjithë ky organizim është bërë me qëllim që garat të jenë sa ma reale dhe të pa ndikuara. Si rezultat i kësaj tradite që ka krijuar Gjilani, sot matematicientët e rinj që i ka komuna e Gjilanit, po tregojnë rezultate të lakmueshme në të gjitha garat e matematikës që po mbahen në Kosovë dhe më gjerë.
Në garat komunale,në lëndën e matematikës, të organizuara nga DKA e Gjilanit, të cilat u mbajtën më 19.04.2014, dy nxënëset e shkollës së M U “Abaz Ajeti” – dy motrat, zunë vendet e para.
– Natyra Jerliu nxënëse e klasës VII-6 me 100 pikë maksimale, duke thyer rekordin e garave të mëparshme, ku njëherit është kualifikuar për pjesëmarrje në Olimpiadën Ballkanike e cila mbahet në Durrrës dhe në Olimpiadën gjithëkombëtare e cila këtë vit mbahet në Shkup më 24 maj..
– Rreze Jerliu nxënëse e klasës IX-4 ka zënë vendin e parë në garat e nxënësve të klasave të IX- ta dhe njëherit është kualifikuar për pjesëmarrje në Olimpiadën gjithëkombëtare, e cila do të mbahet në Shkup me 24 maj të këtij viti.
“Fillimi i këtij rrugëtimi nuk është i rastësishëm por ka filluar që nga klasa e parë. Kontributi i mësuesit dhe i arsimtarëve të lëndës së matematikës, sidomos i prindërve (babai- arsimtar i matematikës) qe shumë i dobishëm. Ëndrrat tona filluan të realizohen. Dëshirojmë që e ardhmja të jetë me plot suksese të marrim pjesë në gara të niveleve të ndryshme edhe në Olimpiada! Do të mundohemi të punojmë sa më shumë”. Kështu shprehen motrat, të buzëqeshura nga gëzimi për rezultatet e arritura në këto gara!
T’i themi disa fjalë për sukseset e nxënësve të vendit tonë nga viti i kaluar në garat botërore.Kosova vitin e kaluar ishte e 79-ta në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës. Për të tretën herë me radhë, ekipi i Kosovës mori pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, e cila vitin e kaluar u mbajt në Santa Marta të Kolumbisë. Kosova u rendit e 79-ta në mesin e 97 shteteve pjesëmarrëse. Vendi i 79-të u nda bashkë me Luksemburgun dhe Pakistanin. Olimpiada Ndërkombëtare e Matematikës organizohet që nga viti 1959 dhe konsiderohet si gara më e famshme dhe më e vështirë për nxënësit e shkollave të mesme.
Ekipi fitues ishte ai i Kinës, vend i cili, me përjashtim të tri viteve, çdo herë e ka fituar vendin e parë në 16 vitet e fundit. E dyta ishte Koreja e Jugut, kurse e treta ishte SHBA-ja.
Për Kosovën ky është rezultati më i mirë deri më sot. Në garat e kaluara Kosova ka qenë e ranguar në vendin e 94-të, kurse një vit më herët në vendit e 89-të. Nga gjashtë garuesit kosovarë, tre prej tyre (Petrit Avdylaj, Besart Kodraliu dhe Valdrin Sherifi) morën mirënjohje. Nxënësit e tjerë pjesëmarrës të ekipit ishin Bardh Shabani, Doruntina Sylejmani dhe Alban Kryeziu. Ekipi i Kosovës udhëhiqet dhe shoqërohet nga dy profesorët e UP-së Ramadan Limani dhe Kajtaz Bllaca. Shpresojmë se motrat Jerliu, pse jo edhe të rinj të tjerë, në të ardhmen e afërt të jenë të suksesshëm në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës./Ismet Azizi/