Motivi për shkrim – Identifikimi i tekstit me traditën
Shkruan: Femi Halimi
Autori i respektuar Muharrem Elezi, tanimë, për kohë të shpejtë, ka bërë një raft me libra botim të vetin dhe na befasoi për mirë gjithë opinionin e komunitetin krijues këtu rreth nesh e më gjërë në tërë opinionin shqiptar. Rrallë ndodhë që një krijues përnjëherë të del me një energji krijuese dhe të boton me kaq fuqi, zell e përkushtim gjithë këto vepra të vyeshme e të çmueshme për arsimin dhe kulturën tonë.
Përnjëherë, sikur në një 3D erdhën botimet e këtij autori në opinion e u përhapën me shpejtësi sa për kohë të shkurtë çdo libër shkonte shpejt dhe shfaqej nevoja për ribotim disa here të tij ndër lexues. Ishte befasi edhe për mua, për më tepër pasi e njihja shumë mire autorin, mirëpo me gjithë këtë përkushtim si doli para komunitetit lexues njëmend ishte befasi por shumë e këndshme, për më tepër kur tani libri është në rënie të lirë dhe kur vendi i tij nani më nuk po dihet as ku është.
Shtypi i përditshëm edhe kështu u ndal dhe kjo i ngjan një thatësie afrikane kur ndalen lumejt e gjitha gjallesat e ujit mbeten në batak. Kjo kështu sepse libri dhe shtypi ditor shkojnë bashkë me kusht. Kush e ka bërë mend se libri dhe gazetat do të mbeten kështu jashtë shtëpie dhe kur nuk do të ua bën më as llafin kush kund, as derën nuk do t’ua qelë!
Në këtë thatësi leximi autori i ri kështu, anise tani pensionist, erdhi me një valë vërshimë shtypi të librave me tregime e me romane dhe sikur e ktheu librin mbrenda në komunitetin lexues. Mund të them lirisht se botimet e këtij autori e luajtën këtë rol te ne sëpaku këtu në mesin tonë në Gjilan me Rrethinë, -e kthyen edhe njëherë librin dhe sikur i dhanë edhe një afat, a sikur libri tha –hajt po kthehem edhe njëherë edhepse përfundimisht pashë se nuk po ka nevojë më kush për mua
Ashtu sikur në 3D gjithë librat e autorit kanë tri pika ligjërimi, diskutimi dhe përgjykimi:
-ndihma dhe përkrahja e komunitetit lexues me libra e botime të reja, me promovime e me praninë e librit në opinion sa më shumë;
-përkushtimi për afirmimin e femrës në mesin tonë, përkushtimin ndaj saj dhe emancipimin. Një pikë referimi për diskutim që nuk soset kurrë te ne, sidomos në këtë kohë kur pozita e femrës është shumë e dhëmbshme, si në shkollim e punësim, -e në fuqizim social familjar, pasi se femra bën dhe mba femiljen, -po edhe si në mbrojtjen e saj sepse prej pas lufte, u hetua me trishtim abuzimi me femrat këtu te ne me kanosjet brutale, shantazhet, e edhe vrasjet. Arti më shumë se kushdo ofron mundësi për mbrojtjen e njerëzve e veçanërisht femrave në jetë dhe në familje, e jashtë në gjithë shtetin;
-e treta, tek veprimtaria e Muharremit është mbi të gjitha po sa i përket shkrimit, autoktonia. Mua më bën përshtypje veçmas kjo. Tani në kohën e internetit, ku u integrua e gjithë bota dhe u kyq e u mbyll në një dhomë, e me vazhdim starlink e çkamos tjetër, tanimë kur u rritën mundësitë punuese në krijim dhe shkrim, tani por erdhi edhe rreziku i pa bërë mend më parë kurrë, -vjedhja dhe plagjiati! Tani përmes internetit secili njeri në botë mund të merr cilindo shkrim e krijim të cilitdo autor në cilindo vend të botës e ta bën të vetin -dhe askush mos ta heton këtë kriminalitet në botën e krijimit dhe shkrimit.
Tani, në internet mund të merret një temë e dikujtë nga bota prej dikujtë e të shërben për ngritje në shkollim, në tituj e mandej përmes nivelit të lartë të shkollimit me tituj të bëhet përparimi i të tillëve që marrin vepra të huaja e i përvetësojnë dhe kështu ndodhë në ekstrem, që një bari si e përmendin një rast në Australi, një bari të shet lopë e dhenë e të blen titujt të gjithë shkollorë arsimues dhe të thirret edhe të ligjëron nëpër universitete vendore e ndërkombëtare, pasise edhe ata që e thirrin paguhen ose marrin dhurata për këtë!
Me një fjalë kemi ardhë në një kohë e pike kur nuk vlejnë më as botimet e krijimet sepse nuk ka më besë në asnjë botim as shtyp të çfarëdo teksti qoftë. Por ka një shpresë, një identifikim, e që mund të ligjërohet me veçoritë e gjuhës, të traditës, të kombit, të dokeve e zakoneve.
Kështu edhe më parë ka qenë kjo por pak dhe në këtë përmendet, rasti i romanit të veçantë “Besniku” në Kosovë, e ku në atë kohë ai libër bëri jehonë të jashtëzakonshme tek të gjithë popujt jugosllavë e mandej edhe europianë e ku u përkthye, sepse kishte një diçka që nuk e kishte asnjë popull në botë: çika të bëhet djalë, të vishet e të sillet si djalë derisa të mundet, e që bëhej me të vërtetë në anë të Rugovës e bjeshkëve andej tona përballë detit, në rastet kur një familje përfundimisht nuk kishte fëmijë mashkull në shtëpi ose kur për fat të keq bëhej për gjakmarrje.
Këso veçori identiteti në popull tonë ka ende, si janë luftërat e femrave tok me burrat në front, mandej e pamja për të vdekurin, ofrimi i ndihmës për të panjohurin në padrejtësi të dikujt, ofrimi i buajtjes në odë e konak njeriut udhëtar që e zinte nata njoftë e pa njoftë, po mbi të gjitha e për të gjithë dhe që i rriti emrin shqiptarit lart mbi të gjithë, Besa!
Këto veti dhe veçori e bënë shqiptarin të njohur në botë dhe bënë që të admirohej e të admirohet edhe nga miqtë po edhe nga armiqtë, e për më tepër kur këto veti e veçori, që ishin zakone normash e adete traditash, ishin dhe janë edhe ndër pikat kryesore në Bibël e Kuran! Mbi të gjitha në Shkrimin e Shenjtë të Biblës a Kuranit, mbi të gjitha e pas të gjithave janë njerëzia, edukata, mëshira, dhembshuria, respekti për çdo njeri pa dallim a empatia si po thuhet, e që të gjitha bëjnë njeriun për çfarë të tillë e bëri Zoti vetë, e që edhe kjo është që po quhet tani sinergji.
Shkrimet dhe botimet me këto motive dhe parime, udhëzime dhe mësime, veti dhe veçori të traditës dhe normave, si cekëm mëparë, vetvetiu e dëshmojnë autorin për autor njëmend të një shkrimi e botimi, sepse vetë këto veti dhe veçori sjelljesh njerëzore bëjnë të besohet se teksti, motivi në të dhe shkrimi nuk janë të marrur prej askujt nga bota, sepse fundifundit askush në botë nuk e pati as nuk i ka as besën, as pamjen për të vdekurin, as marrjen bijave dyherë në vjet nga dy javë –anise tani u shkurtuan shumë, e tradita tjera shumë njerëzore, identifikuese për kombin me plot besim. Kështu edhe mëparë, kur një lexues nga bota ka hasë në një botim, a hasë tani, si që ishte dhe është “Besniku” ai ka ditë dhe e di me siguri se autor i atij libri është një shqiptar!…
Me këtë kështu, duke u përqendruar në vetitë dhe veçoritë popullore tonat edhe autorët e kanë lehtë të mbrojnë tekstet e botuara në çfarëdo forme letrare e artistike, a edhe shkencore studiuese, sepse këto veti dhe veçori i njef edhe krejt bota e arsimuar dhe i pranon.
Mu kështu autori Muharrem Elezi e nisi dhe i solli deri këtu gjithë botimet e tij, me një thjeshtësi tregimesh e kryepersonazhesh, e pak personazhesh ndihmës, sepse qëllimi ideoartistik është i njohur që më parë, e që ka të bën me identitetin krijues dhe me veçoritë e tipizimit të normave që nxisin krijimin e që janë të pranueshme nga vendi këtu te ne por edhe në gjithë botën dhe me këto parime e norma askush në botë nuk bën kundërshti kurrfarë, përsa gjithë shkrimi struket dhe ruhet në suaza të trashëgimisë së popullit të njohura nga të gjithë. Këtë e kemi tani për kusht shkrimi dhe botimi, për të na njohur dhe besuar vetë lexuesit tanë këtu sëpari e mandej edhe në gjithë botën përmes përkthimit! /2LONLINE/
