Mos u habit e mos u ligështo oj Kosovë të lutem!
Shkruan: Arsim Kastrati
/2L ONLINE/ – Po thonë se lufta e tretë botërore mundë të fillojë së shpejti, e disa se veç paska filluar, ku jemi ne në këtë skenë të madhe të botës që është trazuar si rrallë herë më parë?
Po thonë tash e një kohë se Rusia i ka futë duart në Ballkan, në Serbi, Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, e Serbia po vazhdon të punojë e deklarojë se Kosova është dhe do të vazhdojë të jetë e saj.
Përpjekjet për integrimin e këtyre vendeve ballkanike në BE ishin, janë e ishalla do të vazhdojnë të jenë të gjalla se përndryshe zhvillimet politike mundë të shkojnë në drejtim të thellimit te mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të mirënjohura.
E, BE-ja tani po përjeton vet qaste të vështira për shkak të terrorizmit dhe për shkak të aktivitetit destruktiv të Rusisë së Putinit e cila është “vampirosur” dhe po luan fort dhe krye më vete në skenën gjeopolitike ndërkombëtare dhe në kufij e edhe brenda oborrit dhe sferave të interesit të BE-së e më gjerë.
Mos t’i anashkalojmë kurrsesi këto fakte kur të veprojmë politikisht sot në, dhe rreth Kosovës! Janë dy kahje të zhvillimeve në Kosovë që janë prezentë që një kohë e qe janë shumë të dëmshme për ardhmërinë e saj: njëri është konflikti absurd në mes dy alternativave të mendimit dhe angazhimit politik, atij që insiston në akseptimin dhe forcimin e Republikës së pavarur të Kosovës dhe të gjitha simbolikave të saj dhe tjetrit qe reagon kunder kësaj dhe vlerëson vetëm flamurin kuq e zi dhe bashkimin sa më të shpejtë kombëtar.
Një kah tjetër që është shumë më i parëndësishëm por jo edhe për t’u neglizhuar është islami politik, veprimtari dhe aktivitete të të cilit në Kosovë mundë të jenë shumë destruktiv dhe për të mos thënë ndoshta edhe fatal për imazhin dhe ardhmërinë e shqiptarëve të Kosovës dhe të Ballkanit në përgjithësi.
Sa i përket kahut të parë do të them që krijimi dhe forcimi i shtetit të Kosovës nuk është zhvillim që kundërshton bashkimin kombëtar eventual dhe/apo të dëshiruar të shqiptarëve të Ballkanit në të ardhmen.
Në një emision debati para do kohe pjesëmarrësit e debatit mundoheshin te krijonin nje formule narrative për shtetin e ri të Kosovës e cila do t’i frymëzonte qytetarët e saj që ta duan më shumë dhe të punojmë me më zell për forcimin e shtetit te ri.
Ne anën tjetër dëgjojë shpesh absurditetin se Kosova na qenka projekt i Bashkësisë Ndërkombëtare dhe jo i joni. Jo bre vëllezër e motra, Republikën e Kosovës e kanë kërkuar shqiptarët e Kosovës, me luftë, me demonstrata, me burgime të gjata, me vrasje, dhunime, privime e me masakra. Kemi punue aq sa kemi dite dhe aq sa kemi mundur dhe dorën në zemër, forca çlirimtare përfundimtare e Kosovës ndaj Serbisë së hamamit erdhi nga Amerika, Anglia, gjermania e të tjerët.
Por, ama ideja, dëshira dhe projekti ishte dhe do të mbetet i yni, madje në masën aq sa duam dhe aq sa punojmë për ardhmërinë tonë për të cilën ne jemi të thirrur jo të tjerët madje as miqtë tanë.
Por gjithnjë ka një por – ne nuk duhet harruar se jemi dhe duhet të mbetemi Shqiptar. Edhe shqipëtar edhe kosovar a nuk jemi të tillë? Dhe të jesh kosovar nuk do të duhej të thuhej se nuk je më shqiptar. Deri sa të ketë kushte gjeopolitike rajonale dhe ndërkombëtare për forcimin e shtetit të Kosovës ne duhet ta bëjmë këtë punë me dëshirën më të zjarrtë të mundshme.
Në anën tjetër pse mos të mësohemi nga armiku ynë Serbia, e cila luan më shumë karta përnjëherë. Pse ne të krijojmë konflikt qesharak ndërmjet kosovarisë dhe shqiptarisë, kur situata në Ballkan dhe në Evropë e me gjerë mundë të përkeqësohet asisoj sa që të na detyrojë të veprojmë bashkërisht të gjithë shqiptarët e Ballkanit kur do të jemi të detyruar të qëndrojmë së bashku dhe krah njeri-tjetrit. Nëse kemi elita politike dhe intelektuale të zgjuara që nuhasin rreziqet dhe kanë ndërgjegje të mjaftueshme patriotike.
E sot, pozitë e opozitë në Kosovë duhet që urgjentisht të jenë të gatshme t’ia fillojnë dialogut pa kushte për krizën aktuale politike. Le të ulen zotërinjtë e pozitës dhe opozitës dhe t’a diskutojnë problemin e Asociacionit te Komunave Serbe në Kosovë dhe marrëveshjen e demarkacionit mbasi rreth kësaj çështje së paku deklarativisht po thyhen shtizat, edhe atë në Parlament ku të jenë prezent të gjithë, edhe presidentja e edhe miqtë ndërkombëtarë nëse duan, por ama jo vetëm të diskutojnë, por në fund edhe le të votojnë. Nëse janë kundër Qeveria mban mbledhje urgjente dhe e shpallë të pavlefshme nënshkrimin për “Zajednicën”, si po e quan opozita. Nami nuk do të bëhet, nuk do të themi dhe nuk do të jemi kundër dialogut, atë do ta vazhdojmë, por Parlamenti le të vendos për marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare të Kosovës e jo qeveria.
Nëse deputetët votojnë pro kësaj marrëveshje atëherë prapë nami s’bëhet, dita e re nafaka e re, asgjë nuk është e përjetshme, edhe ashtu ka ende paqartësi rreth kësaj marrëveshje edhe pse më duket se është dashur të jetë me e mirë se qe është…Por, le të vendos vota e pavarur e deputetëve të zgjedhur nga vota e popullit.
Unë nuk jam ekspert juridiko kushtetues dhe nuk i njoh mirë procedurat vendimmarrëse politike, mbase dhe sigurisht ka edhe këshilla më të mira dhe njerëz më të thirrur se unë për t’i këshilluar politikanet e opozitës dhe të pozitës kosovare por nuk munda të rrija rehat duke i parë partitë politike shqiptare të konfliktuohen në atë masë, duke i parë djemtë dhe vajzat shqiptare dhe policinë e tyre, tonën, të kacafyten deri në atë masë sa t’i rrezikojnë edhe jetën njeri tjetrit në kohën kur armiku ynë blenë armatim miliardësh dhe vendosë përmendoret e njëfarë car Milutinit, rend e rend nëpër Kosovë, duke mos e fshehur tendencën e kamotshme “samo napred slobodane ako treba do tirane” e ky far Milutini po thonë se paska pas mbërri deri në Durrës, si të vazhdojmë të flemë ne, ndoshta edhe e bëjnë.
Vëllezër dhe motra, gjendja nuk është e mirë dhe nuk është edhe bash e thjeshtë sikur që në shikim të parë duket. Le ti ulim gjakrat, le të mendojmë me koka të ftohta, Nuk duhet shqiptari me pas pushkë për vëlla, jo kurrë.
Le të lëshojnë pe, të dy palët nga pak dhe t’ia kthejnë vendit qetësinë dhe mundësinë e jetës dhe përparimit. Hej, kur e mendojë se qysh kemi jetue nën pushtimin e Serbisë shpesh i kam thënë vetes, e edhe miqve të mi me raste: duhet me e ndërpre çdo natë gjumin, e me u zgjue çdo natë në mes të saj e me u vërtetua se shteti i Serbisë nuk është më në Kosovë të na poshtërojë e të na e helmojë jetën qysh na e ka bë një kohë të gjatë.
Edhe koha e fundit qysh e kemi fitua luftën me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, të fillojmë e ta fitojmë edhe paqen se ” Bac, hala s’u kry” ka fillua me mu dukë. Zoti na ndihmoftë, e i ndihmofshim vetes ishalla! /2L ONLINE/
/autori është mjek nga Gjilani/
