Mos pritni, s‘ka shfaqje, provat janë ndërprerë!

Mos pritni, s‘ka shfaqje, provat janë ndërprerë!

Teatrit të Gjilanit duket se i kanë bërë magji të zezë, pas ajo nuk po mundet me pa ditë të bardha, pasi nuk po i ndahen telashet. Ky institucion i kulturës ka pothuajse më tepër se një vit që nuk ka drejtor, por po funksionon me ushtrues detyre.

Tani, këto ditë, institucionet përgjegjëse kanë dështuar edhe për të pestën herë me radhë ta zgjedhin drejtorin. Konkursi i pestë është anuluar sepse nuk ka pas mjaftë kandidatë konkurrues, aq sa e kërkojnë procedurat për me u procedua tutje kjo çështje.

Tani duhet pritur rishpallje të sërishme të konkursit për të parë ecurinë se a mos do të jetë hera e gjashtë fatlume. Në anën tjetër mungojnë shfaqjet premierë dhe publiku në to këtë vit ka prezantua në ulëset e teatrit pothuajse kryesisht nëpër tubime të natyrave të ndryshme.

Çfarë është më e keqja edhe një shfaqje që pritej diku brenda këtij muaji të vihej në skenë premierë, nuk do të bëjë vaki të ndodh kjo edhe për pak kohë, sepse provat janë ndalë, pothuajse kur ishin kah fundi dhe në horizont mund të dukej premiera.

Muharrem Shahiqi

Bëhet fjalë për shfaqjen “Një natë në hotel” që parashihej të jepej premierë, por që njëherë për njëherë, duhet publiku të pres, sepse provat për këtë shfaqje ka disa ditë që janë ndërprerë dhe këtë për portalin 2LONLINE, e ka konfirmuar Kujtim Shahiqi, drejtues i Njësisë për Kulturë.

Ai ka bërë me dije se komedia “Një natë në hotel”, me regji të Bashkim Ramadanit, tekst të Muharrem Shahiqit e ku do të luanin aktorë nga trupa rezidente e Teatrit të Gjilanit, i ka ndërprerë provat sepse nuk po nënshkruhen kontratat me burimet njerëzore të angazhuara për një shfaqje të tillë.

Ndryshe, kjo shfaqje kishte marrë “izë” edhe nga vet kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe mendohej se një premierë e tillë do të nderonte një përvjetor të të ndjerit Muharrem Shahiqi, regjisor e aktor shumëvjeçar në Teatrin e Shkupit e të Gjilanit, i cili do t’i mbushte në këtë tetor 90 vite.

Kujtim Shahiqi

Përndryshe, Kujtim Shahiqi, drejtues i Njësisë për Kulturë ka thënë për 2LONLINE, se çdo gjë ishte në rregull me dokumentacion, shfaqja ishte aprovuar nga Bordi i Teatrit, nga kreu i komunës Lutfi Haziri, ishte aprovuar edhe projekti financiar i shfaqjes, madje është nënshkruar edhe vendimi për alokimin e mjeteve nga kreu i komunës, por se, siç thotë Shahiqi, ndodhi një “befasi” e çuditshme që bëri që të ndërpriten provat.

“U.D, i drejtorit të Teatrit nuk i ka nënshkruar kontratat me burimet njerëzore, siç janë regjisori, skenografi, kostumografi, adoptuesi i tekstit, sipas planit financiar, me arsyetimin se mjetet e dedikuar nuk janë alokuar akoma në kodin e Teatrit. Me këtë rast regjisori ka ndërprerë provat derisa të tejkalohen këto pengesa”, ka thënë Shahiqi.

Ai ka pranuar që është e vërtetë që mjetet nuk janë alokuar në konton e Teatrit, por se sipas tij, ekziston vendimi i nënshkruar i kreut të Komunës për alokimin e mjeteve për këtë qëllim dhe se nuk ishte dashtë të ishte problematike mos nënshkrim i kontratave.

Tani, të gjithë në këtë proces janë në pritje të reagimit të kreut të Komunës së Gjilanit, për ta zhbllokuar këtë situatë dhe megjithatë në këtë fundvit ta shohim një premierë.

KOMENTE