DYLON

Mos mi merrni festat!

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Merita HYSENI

(2L ONLINE) – Fundviti në pjesën më të madhe të botës karakterizohet me festa. Këto janë festa ku bëhet përmbledhja e rezultateve vjetore të cilat përcillen me urime dhe përgëzime të shpresës për një të ardhme të mbarë. Besoj se kemi festa më pak se kinezët. Megjithatë, festat tona janë festa tona.

EkoHigjiena

Kosova është rast ‘’sui generis’’ për shumë çështje. Nuk jemi larg edhe në aspekt të festimit. Festat tona në shumë aspekte janë paksa më të ndryshme krahasuar me të tjerët. Si shembull ilustrimi do të ishte festa e 1 Majit. Deri sa në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar këtë festë e përcjellin demonstratat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, te ne në Kosovë, vije deri te formimi i disa kilometrave gjatësi për automjetet që ngarendin për Gërmi, Prevallë, Brezovicë apo diku tjetër që të ngopemi me flija dhe të festojmë në qetësi. Deri sa në gjithë botën nënat marrin lule në ditën e tyre, te ne lulet i mbesin në dorë nënave tona të cilat ende nuk i dinë varret e fëmijëve të tyre të rënë në luftën e sapo përfunduar. Eh, kemi edhe festa të tjera të ngjashme. Festa se jo mahi…

Deri sa në gjithë botën për ato shtete që vendin e vet e quajnë shtet, dita e flamurit është festa më e madhe e vendit. Te ne (kur them tek, ne mendoj në trojet shqiptare), kjo festë na gjen për shumë çështje si është më zi. Festa e flamurit në shtetin e Shqipërisë mëmë festohet (pak ditë para saj) me protesta të cilat sinjalizojnë jostabilitet ekonomik, politik dhe pakënaqësi të përgjithshme në aspektin social. Në disa pjesë të shqiptarisë, kjo festë dhe ky flamur, as që guxon të valëvitet dhe të festohet ekzistenca e tij.

Kosova martire që në shumë aspekte nuk e ka të qartë as vet se a është mish apo peshk, festën e flamurit e pret me më shumë se një flamur, në gjendje të tensionit si rrallë herë më parë. Periudha kohore prej më shumë se gjysmë viti pa qeveri, me shumë premtime e edhe me më shumë rrena, me shumë korrupsion dhe moszbatim të ligjshmërisë, me shumë shpërngulje dhe marrjen e rrugëve të kurbetit që ngjanë me vitet e 90-ta, me rini të pa punë e me diploma të fakulteteve plot duart,me gjyqësor që kundërmon nga larg, me shëndetësi që përkujdeset jo për shëndetin e pacientit por për xhepin e tij, e çka tjetër jo për së mbrapshti, shuan qenësoren që quhet shpresë. Andaj, si pyetje e cila rrjedh vetvetiu është se si ta festoj festën e flamurit Kosova. Çka dhe si të shprehin përgëzimet qytetarët në mes vete, si ta përgëzojnë njëri tjetrin, apo si do ti përgëzoj shteti i Kosovës qytetarët e vet në këtë ditë të bekuar. Pyetje në vazhdim, e pa përgjigje të duhur, do të pasojë se a ka festë të flamurit Kosova , a duhet, dhe si duhet të festoj. Të festoj se jo mahi, ne jemi rast ‘’ sui generis’’.

Ngjashëm me këtë festë do të jetë situata me festat e tjera të këtij fundviti. Ndonëse me vonesë, populli i Kosovës më në fund e kuptoi se nuk ekzison baba dimri. Të kota do të jenë shpresat, dhe jo vetëm për këtë fundvit, por edhe të atyre që do të pasojnë, bile për një kohë, që tryeza e popullit në masë do të jetë më e begatë dhe do të realizohet shpresa. Ndër fjalët e fundit të cilat i flasin njerëzit në muhabetet e tyre janë ‘’… hajt more të jemi shëndosh se bohet mirë…’’. Vazhdimin e fjalisë thellë e fshihnin në vete ’’ …more të shëndoshit dhe të gjallit i nevojiten të gjitha ato që kanë të bëjnë me jetën.’’

Fundi i vitit dhe festat me të, duhet të sjellin një bilanc të gjendjes dhe suksesit të së kaluarës. Athua neve çfarë do të na del bilanci. Për çdo bilanc negativ pasojnë sanksionet. Ato te ne janë vetëm fjalë. Te ne sanksione nuk ka. Të lumtë ne… Pyetje tjetër është se çka dhe si të veprohet me shpresën. Si do të urojmë njeri tjetrin në ndërrim të moteve. Me siguri se bazuar në shpresën, me gjysme goje do të themi, të lutemi të bëhet më mirë. Athua vallë do të mjaftoj vetëm lutja.

Pjesën e fajit për humbje të festave të mija e marr vet. Nuk është pretendim i imi që të shkruaj ndoshta diçka që ju se keni ditur. Mirëpo, pretendim i imi është që të shprehi protestën time ndaj të gjithë atyre që morën festat e mia dhe më lanë bosh. Andaj, a të festoj/më, çka dhe si të festojmë ??? Ndaj mendjen që të festojmë, pse more jo. Të festojmë edhe atë bile fuqishëm ngase nuk lejoj të ma marrësh festën, sepse me humbjen e sajë do ti humbi të gjitha. Dua të besoj se ka kaluar koha e mortit. Mos mi merrni festat. /2L ONLINE/