Riad RASHITI
/2L ONLINE/ – Krijimi i Zonave Ekonomike ka për qëllim nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në Kosovë, përmes krijimit të parakushteve infrastrukturore të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive të afarizmit. Investitorëve të huaj duhet ofruar mundësi reale dhe siguri për investimet e tyre, të cilat do ndikonin jashtëzakonisht shumë në aspektin ekonomik por edhe në atë social.
Sa i përket krijimit të Zonave Ekonomike, pas Malit të zi, Kosova ka numrin më të vogël të këtyre zonave, krahasuar me shtetet e tjera të rajonit, që do të thotë se vendi ynë ballafaqohet me konkurrencë të fortë për nxitjen e investimeve të jashtme. Disa nga vendet fqinje kanë nxitur investimet e huaja jo vetëm përmes miratimit të legjislacionit të përshtatshëm, por kanë bërë hapa konkret në krijimin e zonave të tyre ekonomike dhe lehtësirave të tjera, masa të cilat kanë dhënë rezultate të mira.
Përcaktimi i komunës së Gjilanit në vitin 2011, për krijimin e një Zone Ekonomike Rajonale në Llapjan në bashkëpunim me komunën e Novobërdës, ishte bërë në mungesë të tokës komunale që ka Gjilani, por e cila kishte lëshuar një mundësi jashtëzakonisht të mirë, sepse sikur institucionet komunal gjatë viteve 2005/06 të kishin qenë më të vëmendshme, që në bashkëpunim me Agjensionin e Privatizimit të Kosovës (ish-AKM) të përcaktoheshin për mos privatizimin e tokës prej mbi 100 hektarësh (për më pak se gjysmë milion euro) që gjendej në Livoq të poshtëm, vetëm 3km larg qytetit, sot do të kishim krejt mundësi të tjera dhe më të përshtatshme për krijimin dhe ndërtimin e një zone shumë më të favorshme ekonomike.
Sidoqoftë, përcaktimi i qeverisjes aktuale për të ndërprerë dhe anuluar procesin e krijimit të kësaj zone të rëndësishme ekonomike në Llapjan, është humbje e madhe për Gjilanin dhe Anamoravën. Ky vendim është i pa menduar mirë, i ngutshëm dhe me dëme të mëdha, me shumë efekte negative dhe me pasoja të larta ekonomike për të ardhmen dhe jo vetëm për komunën dhe qytetarët e Gjilanit, por edhe më gjerë.
USAID-i amerikan, RDA dhe Ambasada e Republikës së Çekisë e kanë mbështetur dhe përkrahur këtë përcaktim të dy komunave për krijimin e kësaj Zone Ekonomike Rajonale, me një sipërfaqe prej rreth 69 hektarësh. Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë së Republikës së Çekisë ishte donatore dhe që ka financuar projektin për të bërë studimin e arsyeshmërinë për krijimin e kësaj zone ekonomike rajonale. Çekia ka të krijuara mbi 103 zona të tilla ekonomike dhe njihet si shteti më i suksesshëm dhe që ka arritur të bëjë nxitjen e investimeve të huaja duke sjellë mbi 600 kompani të huaja në vendin e tyre.
Czech Invent është një kompani çeke, serioze dhe profesionale e kontraktuar dhe e cila ka bërë studimin e fizibilitetit. Ky studim ka vlerësuar se krijimi i kësaj Zone Ekonomike Rajonale në Gjilan, është i rëndësishëm dhe i plotëson të gjitha kushtet e përgjithshme për të arritur qëllimet dhe synimet e këtij projekti ambicioz.
Në këtë studim është bërë analiza tokës-vend ndërtimit të kësaj zone ekonomike, analiza socio-ekonomike e regjionit, analiza financiare për rregullimin e kësaj zone, analizën ekonomike të kostos së ndërtimit dhe përfitimet që do të jenën në të ardhmen nga operimi i kësaj zone, vlerësimet e kërkesave të tregut për investime, potencialin vendor të investimeve, llojet e veprimtarive afariste që mund të vendosen në këtë zonë, mënyrën e menaxhimit. Poashtu është edhe koha planifikuar për ndërtimin e kësaj zone, përmes katër fazave investuese.
Në këtë Zonë Ekonomike Rajonale, janë planifikuar në mënyrë të detajuar investimet e nevojshme infrastrukturore në vlerë totale prej afër 8 milion euro, të planifikuara të investohen në katër pjesë. Pjesa e parë e në ndërtimit me kosto prej 1.2 milion euro. Burimet e financimit për këtë zonë ekonomike komuna e Gjilanit, do të duhej ti siguronte një pjesë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, grandet e Komisionit Evropian dhe donatorë të tjerë, duke participuar edhe vet nga buxheti komunal i Gjilanit dhe Novobërdës.
Sipas analizës ekonomike, do të krijoheshin 40 vende të reja pune për një hektar sipërfaqe të kësaj zone të rregulluar me infrastrukturë, që do të thotë në tërësi në këtë ZE mund të krijohen rreth 2800 vende të reja pune, brenda 8 viteve të ardhshme. Ku mesatarja vjetore e të ardhurave për të një punësuar do të ishte 3,360 euro, që do të thotë se nëse do të funksionalizohej tërësisht kjo zonë, atëherë të ardhurat për të gjithë punëtorët do të ishin mbi 9 milion euro në vit.
Në përgjithësi, zhvillimi ekonomik i Kosovës konsiderohet i qëndrueshëm nëse është e aftë që të shfrytëzojë burimet dhe kapacitetet e saj njerëzore, financiare dhe kapitale, për gjenerimin e rritjes së vazhdueshme ekonomike dhe për sigurimin e mirëqenies për të gjithë qytetarët e saj.
Komuna e Gjilanit po e humbë një mundësi reale, për të vazhduar në këtë drejtim. A mundet Gjilani të zhvillohet barabarësisht me komunat e tjera të Kosovës, nëse edhe ato pak mundësi të cilat i kemi si regjion dhe përkrahje që na u është ofruar nga donatorët e huaj, ne vet i refuzojmë pa ofruar ndonjë alternativë tjetër më të mirë se kjo. Sigurisht se përgjigja është negative.
Drejtuesit e qeverisjes aktuale në Kosovë dhe Gjilan, duhet angazhuar seriozisht në aspektin e zhvillimit ekonomik, sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër. Mundësitë ekzistojnë, resurset natyrore poashtu, ndërsa edhe për nga dija nuk jemi keq si resurs që ka vendi ynë. /2L ONLINE/
/autori është anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit na radhët e PDK-së/