Shkruan: Refik HASANI
(2L ONLINE) – Që nga mbajta e zgjedhjeve për Parlament filluam të hyjmë në muajin e pestë pa u bërë konstituimi dhe zgjedhja e organeve të Parlamentit dhe formimi i qeverisë së Kosovës. Kjo stërzgjatje e kohës për zgjedhje të organeve është e pa justifikueshme, është një lojë e aktrimit shumë të dobët dhe e dëmshme që do të ketë pasoja tepër të mëdha në të ardhmen si në njohje, zhvillim, investime dhe konsolidim të shtetit.
Kjo krizë e thellë si mungesë e institucioneve është një luksi e zvarritje që po bëhet, por është tepër me pasoja të dëmshme për proceset e ardhshme. Ne, si një shoqëri e dalë nga një pushtim i egër, nga një prapambetje e madhe, nga një tranzicion që nuk i shihet fare fundi më së paku ka nevojë për këso lojërash për formim të institucioneve qendrore.
Më së vështiri e përjetojnë dhe e ndiejnë shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës pasi këto aspekte e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës se kështu Kosova nuk është e aftë të qeverisë as me punët e veta e ku të interesohet dhe mbështes bashkëkombësit e saj.
Në vend që mos të humbë kohë pa nevojë duke u zhvilluar ekonomikisht shteti dhe duke u kyçur në rrjedha Evropiane e globale është ndihmë edhe për Shqiptarët në këto tri komuna. Pa-aftësia për themelimin e institucioneve qendrore është dëmtim i rëndë për këto tri komuna, pasi ne ishim nën pushtimin një shekullor të Serbisë, ajo bëri luftë ndaj nesh dhe tani ende nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës.
Vazhdim i avazit të vjetër që të diskriminojë dhe ti shtrëngojë shqiptarët që ti braktisin trojet e tyre se po duket kështu nuk ka askush t’ju del zot dhe ti përkrah që ti fitojnë të drejtat individuale dhe kolektive.
Tri komunat që nga përfundimi i luftës qershor 1999, presin dhe janë me sy e vesh drejtuar kah Prishtina zyrtare që të mbështesin çështjen kësaj hapësire Shqiptare që po pret një zgjidhje të drejtë.
Asgjë deri më tani nuk kanë bërë në këtë drejtim bile, bile nganjëherë liderët Kosovarë i kanë çorientuar dhe rekomanduar gabimisht partitë politike që veprojnë në këto tri komuna në kuptimin në raportin që do të duhet të ndërtojnë e mbajnë me Beogradin.
Kështu pa institucione qendrore kur ende nuk kanë zotësi t’i formojnë institucionet e funksionalizohet shteti, parashtrohet pyetja: Çfarë ndihme të presin tri komunat me shumicë Shqiptare? /2L ONLINE/