Morina-Bunjaku: Kësaj qeverisje i shkoi mandati duke mbyllur institucione

Morina-Bunjaku: Kësaj qeverisje i shkoi mandati duke mbyllur institucione

Leonora Morina-Bunjaku, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së, gjatë seancës së djeshme të Kuvendit Komunal të Gjilani ka qenë kritike nda qeverisjes aktuale kur ishte në pyetje çështja e subvencionim të aktiviteteve të Qendrës për kujdesin ditorë “Pema” në Gjilan, duke thënë se kësaj qeverisje i shkoi mandati duke mbyllur institucione.

“Ju shkoi mandati duke mbyllur institucione, filluat me shuarjen e Drejtorisë së Kulturës, rinisë dhe sportit, me drejtorinë e inspekcionit, më pastaj mbylljen e shkollës se agrobiznesit dhe se fundi, si pasojë e mospërkrahjes nga ana juaj, arritët të mbyllni edhe këtë qendër të quajtur “Pema”e cila edhe simbolikisht ka emërtim domethënës, por edhe si institucion nëse nuk keni qenë në dijeni ju dhe të gjithë të tjerët, ka rëndësi të veçantë”, ka thënë në fjalën e saj para kuvendarëve Morina-Bunjaku, shkruan 2LONLINE.

Sipas saj, kjo qendër u themelua dhe u financua në mars të vitit 2013 nga Bashkimi Evropian dhe nga komuna në atë kohe, qeverisja e PDK-së, e cila ja ka siguruar objektin dhe inventarin. Por tani e sa muaj, kjo qeverisje iu ka pamundësuar shërbimin këtyre profesionisteve dhe I kanë dëmtuar materialisht, duke i lënë shtatë punëtorë pa të ardhura materiale.

Morina – Bunjaku ka ofruar të dhëna për këtë qendër duke e ditur se, kjo qendër i ofron shërbime fëmijëve me nevoja të veçanta prej moshës 5-18 vjeç, deri më tani 170 fëmijëve iu është ofruar shërbim, 100 prej tyre kanë qenë aktiv dhe të tjerëve ju është ofruar trajtim I rregullte ne shtëpi (për fëmijët me retardim psikomotorrik).

Prindërit kanë pasur takime të rregullta mujore për t’u informuar dhe vetëdijesuar për qasjen më të lehtë, kujdesin dhe bashkëpunimin me fëmijët e tyre, nga profesionistet.

Gjithashtu këtë qendër mund ta quajmë edhe urëlidhëse për këtë kategori të ndjeshme sepse përmes bashkëpunimit të tyre me qendrën për pune sociale, qendrën e aftësimit profesional (QAP)dhe si rezultat I ka pranuar rastet e referuara nga “Pema”.

Morina – Bunjaku ka thënë edhe se përmes tyre, këtyre fëmijëve spitali regjional I ka ofruar shërbime në fizioterapi, psikiatri e shërbime tjera të nevojshme. Përmes bashkëpunimit me drejtorinë e arsimit e ka bërë integrimin e tyre në shoqëri, pra në shkolla dhe çerdhe, madje disa i kanë referuar për qendrën sociale për mbështetje materiale e cila ju takon dhe për të cilën familjarët nuk kanë pasur njohuri. Kjo qendër kohëve të fundit, para mbylljes ka funksionuar falë donacioneve të ambasadave.
Përveç kësaj, aty është bërë investim prej 15 mije euro në “Dhomën Senzorike”e cila ka për qellim zhvillimin e shqisave të dëmtuara të fëmijët.

“Pra investime janë bërë, aparatura është dhe fatkeqësisht nuk shfrytëzohet e ato shërbime ne nuk e dimë se ku i kërkojnë këta prindër që pa fajin e tyre kanë rastisur të jenë pjesë e këtij fati. Andaj ju sugjerojë që kjo qendër tash e tutje mos të jetojë, funksionojë nga subvencionet apo mëshira e dikujt por le të jetë në vijë buxhetore,dhe le të ju mundësojmë edhe qytetarëve në nevojë edhe punëdhënësve e punëmarrësve të kryejnë shërbimet e tyre në kontinuitet dhe pa stres nëse do të funksionojë apo do të mbyllet”, ka thënë Morina – Bunjaku e PDK-së.

Sipas saj, ata janë kategori e cila ka nevojë për kujdes çdo ditë nga ne si qytetarë e ne veçanti nga profesionistet dhe institucionet. Për këtë shtresë të shoqërisë dihet botërisht se çfarë përkrahje kanë në shtetet perëndimore.

“Andaj ne kërkojmë që “Pema” të përkrahet dhe të kalojë si pikë e rendit të ditës urgjentisht se edhe kështu jemi vonuar pasi që dihet se tash e tre muaj nuk funksionon fare, e sa i përket Handikos-it dhe shoqatës së të verbërve, patjetër se duhet të i përkrahim dhe t’i mundësojmë të kalojnë ne séance e radhës”, ishin fjalët që Morina –Bunjaku i ka thënë para kuvendarëve gjilanas.

Përndryshe pika për subvencionim të aktiviteteve të Qendrës për kujdesin ditor “Pema” është shtyrë për seancën e radhës, për t`i përfshirë kërkesat edhe të shoqatave tjera.

[pro_ad_display_adzone id=35749]

KOMENTE