(2L ONLINE) – Në këto 15 vitet e fundit të pasluftës, kemi pasur pothuajse shumë pak investime të jashtme në Kosovë. E kjo për shumë arsye: për mungesë të rendit dhe ligjit, jostabilitetit politik, korrupsionit, rryshfetit, burokracisë, neglizhencës etj.
Shkruan: Faik KRASNIQI
Edhe ato pak kompani të huaja që kanë dashur të investojnë në Kosovë, janë larguar për shkak të rryshfetit të kërkuar nga kjo Qeveri. Këtë gjë e kanë thënë edhe përfaqësuesit e atyre kompanive, dhe pastaj ato investime i kanë drejtuar drejt shteteve të rajonit.
Por jo vetëm investimet e jashtme, por edhe shumë donacione nga jashtë për shkak të rryshfetit, burokracisë dhe neglizhencës, i kemi humbur. E kjo e gjitha për fajin e kësaj Qeverie në largim, por një pjesë të fajit e kanë edhe qeveritë paraprake.
Por Qeveritë paraprake deri diku mund t’i arsyetoj, sepse deri në 2008 Kosova nuk ka qenë shtet i pavarur. Mbyllja e bizneseve po bëhet edhe për shkak të tatimeve dhe TVSH-së së lartë, dhe shkaku që kjo Qeveri ka favorizuar shumë kompani që janë të afërta me të, dhe ata duke krijuar monopol në ekonominë e përgjithshme në Kosovë, i ka dëmtuar në masë të madhe bizneset e tjera. Që do të thotë se biznesi në Kosovë nuk ka qenë fare i barabartë. Kur bizneset nuk trajtohen njëjtë, është shumë vështirë të mbijetosh dhe vije deri tek falimentimi i biznesit.
Zgjidhja e parë është që kjo Qeveri në largim të ik sa më shpejt, sepse është fajtorja kryesore për dëmtimin dhe ngjecjen e ekonomisë së Kosovës.
E dyta, të formohet sa më shpejt Qeveria nga koalicioni LDK-VV-AAK-NISMA.
E treta, për të pasur investime të jashtme në Kosovë, pikë së pari duhet të mbisundojë rendi dhe ligji, të luftohet korrupsioni dhe rryshfeti, të hiqen procedurat burokratike për investitorët etj.
E katërta, duhet të punohet shumë edhe me diasporën shqiptare, sepse kemi me qindra-mijëra shqiptarë nëpër botë që janë biznesmenë të fuqishëm dhe të suksesshëm, por çdo investitor qoftë i huaj apo shqiptar, kërkon kushte dhe siguri për investimet e tij. Asnjë investitor i huaj apo shqiptar, nuk investon pa iu garantuar investimi i tij, por edhe nëse nuk ka kushte si psh: rrymë 24 orë, ujë dhe gjithë infrastrukturën përcjellëse. Dhe këto të gjitha shteti duhet t’ju garantoj.
E pesta, duhet të ketë ulje të tatimeve dhe TVSH-së për investimet e huaja, apo për të hartohet një plan ekonomik që investimet që vijnë nga jashtë, për 2-3 vite mos të kenë fare tatim. Kjo gjë është praktikuar në shumë vende në tranzicion dhe ka pasur sukses.
E gjashta, të hiqet monopoli që shumë biznese të lidhura ngushtë me njerëz dhe grupacione të caktura politike, kanë krjiuar dhe i kanë shkaktuar dëme të mëdha si ekonomisë së Kosovës, poashtu edhe bizneseve të tjera. Përmes këtij monopoli të krijuar nga bizneset e afërta me Qeverinë, kanë përfituar vetëm këto kompani dhe mafia politike./2L ONLINE/