DYLON

Monografi për Kosovën gjatë Luftës së Parë Botërore

Monografi për Kosovën gjatë Luftës së Parë Botërore
Avatar photo Redaksia

Këto ditë, Instituti i Historisë – Prishtinë, botoi studimin monografik “Kosova gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918”, të autorit Fitim Rifati.

Kjo vepër shkencore paraqet ngjarje, personalitete dhe fenomene shumëdimensionale politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore-arsimore, që e kanë karakterizuar Kosovën gjatë Luftës së Parë Botërore. Ajo është shtjelluar brenda gjashtë kapitujve, duke ndjekur renditjen kronologjike, tematike e multidisiplinare.

Në kapitullin e parë paraqitet një skemë e përgjithshme e Kosovës nën sundimin e Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi, gjatë viteve 1912-1914. Kapitulli i dytë shpalos situatën ndërkombëtare në fillim të Luftës së Parë Botërore, qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës ndaj saj, mobilizimin e dhunshëm në radhët e ushtrisë serbo-malazeze dhe veprimet e armatosura të shqiptarëve për çlirim. Në kapitullin e tretë parashtrohen të dhëna mbi tërheqjen serbo-malazeze nga Kosova, pushtimet bullgare e austro-hungareze dhe ndarjen e Kosovës në dy zona okupimi dhe administrimi. Kapitulli i katërt shtjellon gjendjen dhe pozitën e Kosovës në zonën austro-hungareze, sikurse kapitulli i pestë që ngërthen një tablo të njëjtë të Kosovës në zonën bullgare, gjatë viteve 1915-1918. Në kapitullin e gjashtë trajtohet tërheqja nga Kosova e administratës dhe trupave ushtarakë bullgarë e austro-hungarezë dhe ripushtimi serb, në shtator-tetor 1918.

EkoHigjiena

Në aspektin e punës metodologjike, monografia përcillet me shqyrtimin dhe krahasimin e dokumentacionit arkivor, literaturës burimore, studimeve, analizave dhe çdo materiali tjetër gjegjës, me qëllim për të qenë sa më afër të vërtetës historike. Për hartimin e saj në mënyrë sa më burimore dhe të argumentuar, janë shfrytëzuar dokumente nga arkivat ballkanikë dhe evropianë. Studimin e kanë ndihmuar vëllimet dokumentare të publikuara, shtypi i kohës, literatura historiografike, memoaret etj.

Monografia e vë Kosovën në fokus të veçantë, për territorin e së cilës u përplasën posaçërisht shqiptarët, serbët, malazezët, bullgarët, austro-hungarezët, osmanët etj. Shtetet e tyre, duke zbatuar politikat kombëtare, në këtë hark kohor u përpoqën të ndërtonin një Kosovë politike me tipare specifike kombëtare, ekonomike, shoqërore dhe kulturore-arsimore. Synim i kësaj vepre është prezantimi i informacioneve dhe interpretimeve të reja për historiografinë shqiptare.

Autori është Bashkëpunëtor Shkencor në Institutin e Historisë – Prishtinë.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.