“Mollëkuqet” në Lubjanë: një urë e re bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Sllovenisë
Qendra Kulturore Artistike “Mollëkuqet” nga Gjilani ishte pjesë e një ngjarjeje të rëndësishme muzikore në Lubjanë, duke përfaqësuar Kosovën dhe duke hapur një tjetër hapësirë për bashkëpunim mes skenës kulturore të Kosovës dhe industrisë muzikore të Sllovenisë.
Më 23 shtator, në Lubjanë u promovua kënga dhe videoklipi i parë i këngëtarit të ri maqedonas Sergej Poposki, “Jednom zauvijek”. Në këtë ngjarje, e organizuar në kuadër të aktiviteteve të AIRA Production, e ftuar speciale ishte Qendra Kulturore Artistike “Mollëkuqet” nga Gjilani, e përfaqësuar nga Drejtoresha Ekzekutive Arta Haziri Nuhiu dhe Menaxherja e Projekteve Erdë Mehmeti.
Arta Haziri Nuhiu tha se pjesëmarrja e “Mollëkuqet” në Lubjanë përfaqëson më shumë se praninë e një organizate kulturore në një aktivitet muzikor. Ajo dëshmon për krijimin e lidhjeve të reja profesionale dhe artistike ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, duke e vendosur bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në një kontekst konkret të industrisë kreative dhe muzikore.
Sipas saj, në këtë kuadër, bashkëpunimi ndërmjet “Mollëkuqet” dhe AIRA Production krijon një pikë takimi mes dy produksioneve dhe dy tregjeve muzikore, me potencial për shkëmbim artistësh, produksionesh, përvojash dhe projektesh të përbashkëta. Përmes këtyre lidhjeve, skena kulturore kosovare mund të prezantohet më gjerësisht në hapësirën sllovene, ndërsa krijuesit dhe profesionistët nga Sllovenia mund të gjejnë mundësi të reja bashkëpunimi në Kosovë.
Ngjarja në Lubjanë erdhi pas një tjetër momenti të rëndësishëm për Sergej Poposkin. Më 19 shtator, këngëtari 23-vjeçar nga Prilepi, i cili jeton dhe krijon në Slloveni, performoi në skenën e Križanke në Ljubljanë, si artist hapës para koncertit të këngëtarit të njohur të rajonit, Željko Bebek.
Poposki është bërë i njohur fillimisht përmes interpretimeve të publikuara në TikTok, ku videot e tij kanë arritur mbi 170 mijë shikime. “Jednom zauvijek” shënon debutimin e tij me një këngë origjinale. Muzika është shkruar nga Maria Dzheneva-Kiskinova, teksti nga Tomislav Jovanović, ndërsa aranzhimi është realizuar nga Miro Buljan. Videoklipi është realizuar nën regjinë e Dejan Miličević, me drejtor fotografie Vladimir Borović, në bashkëpunim me ekipin kreativ të produksionit.
Drejtoresha Ekzekutive Arta Haziri Nuhiu tha se për “Mollëkuqet”, pjesëmarrja në këtë ngjarje është pjesë e një qasjeje që synon të ndërtojë ura të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe skenave kulturore ndërkombëtare. Bashkëpunimet me partnerë të huaj, veçanërisht në fushën e muzikës dhe produksionit audiovizual, krijojnë mundësi të reja për artistët dhe profesionistët kosovarë që të jenë pjesë e projekteve dhe rrjeteve rajonale.
Bashkëpunimi “Mollëkuqet” – AIRA Production synon pikërisht këtë: që kultura të shërbejë si hapësirë lidhëse mes Kosovës dhe Sllovenisë dhe që dy produksione nga industri të ndryshme muzikore të krijojnë mundësi për projekte të reja, shkëmbim profesional dhe prezantim të artistëve në të dyja tregjet.
Përmes kësaj pjese të re të bashkëpunimit, Kosova dhe Sllovenia takohen përmes muzikës, produksionit dhe krijimtarisë, duke i dhënë një dimension të ri bashkëpunimit kulturor dhe duke krijuar hapësirë për projekte të përbashkëta në industrinë kreative, ka përfunduar deklaratë ne saj Arta Haziri Nuhiu, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kulturore Artistike “Mollëkuqet”. /2LONLINE/
