Tema kryesore e trajnerit të Mançester Junajtedit, Dejvid Mojes, në konferencën për media në prag të sfidës së Ligës së Kampionëve kundër Real Sosiedadit nuk ishte Uejn Runi apo Van Persi, por talenti i madh kosovar, Adnan Januzaj.
”Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe po bën progres të jashtëzakonshëm me kalimin e kohës. Jam i sigurt se Januzaj do ta konsumojë pjesën më të madhe të karrierës së tij me Mançester Junajtedin. Adnani është një talent i veçantë”, ka theksuar Mojes.
Mojes ka folur për autobiografinë e Fergusonit, duke u mjaftuar me disa fjali diplomatike pasi iu përgjigj pyetjes nëse ato që thuhen mes rreshtave mund ta shpërqendrojnë sulmuesin Uejn Runi. “Unë mendoj se Uejni është i fokusuar te futbolli i luajtur.
Madje ka qenë i fokusuar edhe gjatë fazës përgatitore. Po gëzon një formë të mirë dhe unë nuk kam asnjë problem me të. Aleks Fergusoni mund të shkruajë çfarë të dëshirojë pasi çdokush në ‘Old Trafford’ dëshiron të lexojë ato që ai shkruan. Ai është një njeri me njohuri të mëdha, prandaj jam i sigurt se shumë njerëz do ta shijojnë librin e tij”.