Mohojnë FARK-un, “nderojnë” pjesëtarët e saj!

Mohojnë FARK-un, “nderojnë” pjesëtarët e saj!

Vetëm brenda një harku kohor prej 10 ditësh pushtetarët abuzuan dy herë me vlerat e lirisë, përkatësisht me gjakun e dëshmorëve të lirisë sonë, dhe atë me dy figurat më markante të luftës çlirimtare të vijës institucionale, Agim Ramadani dhe Sali Çekaj të rënë po ashtu në betejën më të lavdishme dhe kuptimplote, të thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptarë.

Shkruan: Florim Zeqa

Brenda këtij 10 ditshi u thye dy herë LDK-ja nën bekimin e pseudo-veteranëve, gjeneralëve të (turpëruar) graduar dhe drejtuesve të këtij subjekti të nënshtruar nga pushtetarët aktualë!

Përderisa Sali Çekaj rrugët me Serbinë i ndau 28 vite më parë, janë liderët shtetëror të Kosovës po kërkojnë me çdo kusht ribashkimin e tyre!

Serbia, falë liderëve të korruptuar dhe tejinkriminuar shtetërorë, përveç rehabilitimit të plotë për krimet e bëra në Kosovë, mbase një ditë mund të bëjë edhe padi kundër Kosovës për krime kundër serbëve, pasi që pala kosovare për 19 vjet rresht nuk arriti të ngritë asnjë padi kundër Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë!

Nderim apo hipokrizi!?

E kam thënë dhe po e përsërisë prapë, liderëve shtetërorë që i shkojnë në përqafim Vuçiqit e Daçiqit është dashur t’u ndalohet pjesëmarrja në manifestimet përkujtimore të dëshmorëve të lirisë sonë, e assesi t’u lejohet të llomotitin si gramafona të prishur dhe të derdhin lot krokodili për të rënët në betejat e lavdishme!

Të nderosh pjesëtarët e një formacioni ushtarak dhe në anën tjetër të mohosh ekzistencën e atij formacioni, është njësojë sikur të flasësh për luftën e të mos njohësh heronjtë e saj dhe anasjelltas!

Ata që mohojnë ekzistencën e FARK-ut, e kanë të vështirë t’i nderojnë dhe respektojnë pjesëtarët e saj! Kjo u dëshmua edhe në Akademinë Përkujtimore për heroin Sali Çekaj. Në momentin kur djali i heroit, Hysen Sali Çekaj foli me pietet të lartë për FARK-un, shpërthyen duartrokitjet e gjata nga të pranishmit në sallë, po citoj: “Ndonëse, në asnjë mënyrë nuk duam si familje, të ndahem nga principi jonë i hekurt, që mos të përzihem në çështjet, sidomos politike, nuk di si duhet të ndihem unë, nena, motrat kur dëgjojmë, ne televizionet e Kosovës, nga njerëz të paskrupull që na thonë që pjesëtarët e FARK-ut qenkan strehuar “neper thera” e “neper hotele” gjatë luftës!

Si paska atëherë mundësi që Sali Çekaj, i cili, edhe në prezencë të familjarëve tonë, ka deklaruar haptas se ishte ushtar i UÇK-se nën Komandën e FARK-ut dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, të këtë gjetur vdekjen nga plumbi serb në rras të Koshares?!”, përfundon citati.

Të vetmit që mbetën të hutuar dhe qëndruan të strukur, ishin presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj, të cilët u ndanë si “dy dele të zeza” në mesin e qindra pjesëmarrëseve në sallë, duke e përcjellë në heshtje momentin më kulmor të kësaj Akademie Përkujtimore!

Në këtë rast, pashmangshëm shtrohet pyetja; “Pse ishin aty Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, kur i pengon heroizmi i betejës më të lavdishme të luftës çlirimtare nën komandën e FARK-ut, e cila rezultojë me thyerjen përfundimtare të kufirit shqiptaro-shqiptarë”?!

Kjo përveç imoralitetit, e dëshmon se këta dy lider politikë nuk e kanë as një fije respekti për të vdekurit dhe akoma më pak për të gjallët, për nënat, baballarët, vëllezërit dhe motrat, gratë e veja dhe fëmijët jetim të dëshmorëve të Betejës së Koshares.

Sikur të kishin pasur vetëm pak ndërgjegje dhe respekt për dëshmorët e Betejës së Koshares, së paku një herë për këto 19 vjet do duhej të kishin vizituar familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të kësaj beteje të lavdishme të luftës çlirimtare.

Kjo është dëshmia më e mirë se injorimi i betejave të lavdishme të drejtuara nga oficerët e karrierës dhe intelektualët më të spikatur është zëvendësuar qëllimshëm me figura të improvizuara të betejave të humbura, gjë e cila ka çuar në tjetërsimin e vlerave të luftës çlirimtare!

Megjithatë, për “ruajtjen” e balancit në Akademinë Përkujtimore për heroin Sali Çekaj, ishte përkujdesur bashkëluftëtari i Sali Çekaj, Agim Ramadani e Xhemajl Fetahaj, komandanti Hysen Berisha i cili në fjalimin e tij edhe pse “rrugëtoi” nëpër ngjarje historike, nuk gjeti “kohë” të përmend as për një moment ekzistencën e FARK-ut!

Pjesë nga fjalimi i tij, po citoj:”Përpjekjet e Sali Çekaj për Republikën e Kosovës, shtet i pavarur e sovran kishin filluar vite më parë. Deçanit ia kishte dhuruar Statutin e Komunës nacionale moderne, mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut.

Po me të njëjtin intensitet po punonte dhe po vepronte në krijimin e kapaciteteve të armatosura për një luftë çlirimtare të cilën Sali Çekaj e kishte si opsion jashtë kancelarik, bazuar po në Kushtetutën e Kaçanikut”. Këta ishin të vetmit rreshta fondamental për Sali Çekaj të potencuar nga komandant Hysen Berisha!

FARK-u shpëton Republikën e Kosovës nga aneksioni i ri serb

Nuk është krejt gjë e parëndësishme emërtimi dhe përmbajta e ushtrisë së ardhshme të Kosovës. Përkundrazi në këtë rast emërtimi e përcakton përmbajtjen dhe ardhmërinë e shtetit të Kosovës.

FAK-u, Kosovën e përcakton vetëm si një territor të papërcaktuar apo “koloni” të Serbisë sipas rezolutës 1244 të OKB-së të administruar nga ndërkombëtarët.

Ndërsa FARK-u , si forcë mbrojtëse e Republikës së Kosovës, vulosë përfundimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit,…nesër do të zëvendëson KFOR-in, EULEX-in dhe organizatat tjera mbrojtëse dhe administruese ndërkombëtare në Kosovë.

Përderisa FAK-u mund të jetë vetëm një mjet në duart e ndërkombëtarëve, për përdorimin e prestarëve të saj në luftërat e ndryshme në vendet aziatike, në emër të forcave “paqeruajtëse”, ku bijtë më të mirë të kombit tonë do të bien “kurban” për interesa të fuqive të mëdha, pa i bërë nderë vendit dhe kombit të vet!

Projekti i Rugovës për shtetin e Kosovës, çdo herë ka qenë pengesë e armiqve, pushtuesve verior të vendit tonë, çarqeve ndërkombëtare dhe i disa mjeranëve apo më mirë të themi i injorantëve politik në Kosovë.

Ideja e presidentit historik Ibrahim Rugova, arkitektit të shtetit tonë për FARK-un, ishte ide pragmatike, i cili në projektin shtetndërtues të Kosovës, pas afatit të paraparë (të protektoratit trevjeçar ndërkombëtar),….fatin e sigurisë së vendit ta merr në dorë FARK-u, ushtria e Kosovës e mbështetur me logjistikë ushtarake nga forcat e NATO-s dhe SHBA-të.

Me transformimin e FSK-së në FAK do të kënaqen në radhë të parë orekset e Beogradit dhe Brukselit, përmes të cilit Kosova nuk do të njihet si Republikë e pavarur por vetëm si territor i mbikëqyrur ndërkombëtarisht, i cili Kosovën e dërgon në “FUCKS EVERYONE”, duke ruajtur sovranitetin e Serbisë mbi Kosovë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të sigurimit të OKB-së.

Pak qytetarë të Kosovës e dinë se bisedimet në Bruksel nuk janë duke u zhvilluar mes dy shteteve të barabarta, shkaku i gënjeshtrave të liderëve shtetëror, këtyre mjeranëve politik që për interesa personale (përfitime materiale) pranuan të ulen në bisedime jo si palë të pabarabarta por me Fusnotë * sipas Rezolutës 1244, duke shkelur mbi interesat e popullit dhe shtetit të Kosovës, duke shkelur mbi gjakun e mijëra dëshmorëve të lirisë.

A ka gënjeshtër më të madhe, a ka mjerim dhe tradhti më të madh politik se kjo; të thuhet se po bisedojmë si dy shtete të pavarura, kur Serbia nuk na njehë dhe as që e ka ndërmend të na pranojë si shtet, dhe të pranohet Brukseli si ndërmjetësues dhe palë negociuese njëkohësisht, i cili po ashtu nuk e njehë ekzistencën e shtetit tonë, i cili në emër të “neutralitetit” ndaj statusit të Kosovës është duke e ndihmuar rikthimin e Serbisë në Kosovë.

Rikthimi i Serbisë në Kosovë nuk ka “brina” siç thotë populli, por nga fillimi i bisedimeve në Bruksel e deri në ditët e sotme, ka ndodh shtrirja gjeografike dhe politike e Serbisë jo vetëm në veri, por edhe në brendi të Kosovës.

Serbia është bërë vendimmarrëse për të gjitha zhvillimet në Kosovë; për zgjedhjet, për decentralizimin etnik, trashëgiminë kulturore, për sistemin e drejtësisë, demarkacionin, asociacionin, gjykatën speciale e deri në bllokimin e formimit të ushtrisë së Kosovës.

Së fundmi, Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018”, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), përveçse shpërfaqi realitetin e hidhur të krijuar në Kosovë, është argumenti më i fuqishëm i cili dëshmon kahet e gabuara të politikës kosovare në 10 vjetshin e fundit dhe jo vetëm kaq!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE