MKRS dhe UP nënshkruajnë memorandum për bursa studimi për trashëgiminë kulturore

MKRS dhe UP nënshkruajnë memorandum për bursa studimi për trashëgiminë kulturore

Studentët e Universitetit të Prishtinës nga sot do të kenë mundësinë e përkrahjes për specializim në fushën e trashëgimisë kulturore. Për këtë u nënshkrua memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili ua mundëson studentëve të UP-së sigurimin e bursave me qëllim të aftësimit dhe avancimit në programet e specializuara për trashëgimi kulturore.

Memorandumi u nënshkrua me qëllim të zbatimit të programit për ofrimin e bursave për studime nga studentët që janë shtetas të Republikës së Kosovës, përkatësisht studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në universitetet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe rektori Marjan Dema, nënshkruan memorandumin bashkëpunimit i cili konkretisht parasheh bursa për studentët e shkencave arkeologjike – deri në katër bursa; antropologji fizike dhe/apo biologjike – deri në dy bursa; antropologji kulturore apo/dhe linguistike – një bursë; arkeologji klasike ose Histori e Artit-deri në një bursë; arkitekturë/konservim – restaurim deri në një burse.

Procesi i aplikimit dhe pranimit do të zhvillohet në dy faza, atë të selektimit të kandidatëve dhe fazën e intervistave.

Ministrja Dumoshi në fjalën e saj u shpreh se është një nder të jetë prezentë në Rektorat për të kryer ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi dhe tha se kjo është marrëveshja e tretë që MKRS-ja nënshkruan me UP-në.

“Sot është 15 shtatori dhe tani fillon Muaji i Trashëgimisë dhe mesazhi i këtij muaji është ‘Trashëgimia dhe Edukimi’, andaj MKRS-ja sot e nënshkruan një marrëveshje e cila është domethënëse për ekspertët e gjeneratave të reja të fushave të cilat janë shumë të ndjeshme si arkitektura, arkeologjia dhe antropologjia. Ne jemi të gatshëm që studentët më të mirë që do t’i përzgjedh UP-ja që t’i përkrahim që ata të studiojnë dhe të marrin ekspertizën në universitetet më të mira të BE-së dhe më pas ata të kthehen dhe të punojnë në vendin tonë,” tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ajo theksoi se Kosova i ka institucionet e veta që janë nën ombrellën e MKRS-së. “Ne kemi nevojë për ngritjen e kapaciteteve njerëzore andaj këto marrëveshje kanë një domethënie dhe më këtë rast i ftoj të gjithë studentët t’i shohin këto fusha të rëndësishme ku hulumtohet e studiohet trashëgimia kulturore e Kosovës. Ne me shumë përkushtim e kemi ndarë buxhetin dhe do t’i financojmë këta studentë” tha ministrja.

Ndërkaq, Rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Dema, tha se është në përfundim të mandatit të tij dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshje në përfundim të detyrës ka një domethënie të madhe pasi që MKRS-ja i ka kushtuar një rëndësi të madhe Universitetit “Hasan Prishtina” ku studiojnë 42 mijë studentë.

“Investimi më i mirë në ndryshime pozitive është investimi në Universitet ku me anë të kësaj marrëveshje do të përfitojnë shumë studiues e hulumtues, shumë studentë dhe ky do të jetë një stimulim dhe do të jetë një entuziazëm më i madh për të studiuar e hulumtuar në tri fusha që fatkeqësisht nuk janë prekur përpara, në arkitekturë, antropologji dhe arkeologji. Dhe sigurisht që ato bursa që do të ndahen do të japin një mundësi më të madhe që të kemi ekspert në këto fusha”, tha ndër tjera rektori Dema, i cili edhe shprehu mirënjohjen për ministren dhe MKRS-në që UP-së i kanë kushtuar një kujdes të veçantë.

KOMENTE