(2LONLINE) – Në të gjitha vendet e botës profesioni i mjekut gëzon një respekt të veçantë, duke marrë parasysh studimet e gjata disa vjeçare që kërkojnë punë të vazhdueshme dhe përkushtim të nivelit të lartë, e deri te përgjegjësia që e ka ky punonjës shëndetësor përballë kategorive të ndryshme të njerëzve që kërkojnë shërim.
Prandaj me të drejtë mund të themi se mjekësia është një ndër shtyllat më të rëndësishme që e kushtëzojnë mirëqenien e individit në shoqërinë ku ai jeton.
Mirëpo fatkeqësisht në Kosovë, mjekësia po përballet me një gjendje të mjerueshme që nuk mund të krahasohet me asnjë vend në rajon. Ajo është bërë vetëm një mjet i përfitimeve personale të personave që e ushtrojnë atë, duke mos e përfillur qëllimin esencial që është aspekti humanitar i saj.
Të fillojmë nga themeli, që është regjistrimi i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, fakultet ky i cili tashmë është bërë shumë i famshëm për skandalet që ndodhin vazhdimisht aty, siç janë: shumëfishimi i numrit të studentëve, blerja e notave, falsifikimi i diplomave dhe shumë parregullsi të tjera, të cilat janë kulminacioni i së keqes që mund të ndodhë në një vend, dhe dështim total dhe i padiskutueshëm i sistemit arsimor. Nëse marrim dhe i studiojmë profilet e atyre që janë pajisur me indeksat e këtij fakulteti, do të shohim se aty janë prezentë studentët më të dobët duke pasur kualitetin më të ultë të mundshëm, e që disa nga ata studentë nuk do të ishte dashur që të kalonin as në shkollë të mesme! Regjistrimi i tyre po bëhet tash e disa kohë me shumë manipulime të rënda dhe në kundërshtim me ligjin, pa kriter, në disa raste pa provim pranues e duke dhënë shuma të majme parash, gjë që ka rezultuar pos të tjerash, me gjendjen e mjerueshme që e kemi sot në shëndetësi.
Rasti i deputetit të Partisë në pushtet, i cili ia doli ta regjistrojë djalin e tij në Fakultetin e Mjekësisë gjoja se kishte nënshtetësi franceze, meqenëse nuk e kishte kaluar provimin pranues, dhe ishte ndër më të dobëtit në fundin e listës, ishte një ndodhi sa qesharake aq edhe tragjike. Por ç’të keqe ka, kështu po shtuaka ”multikulturaliteti” sipas tij! Se a po shtohet kështu multikulturaliteti apo “multikorrupsionaliteti”, këtë e kupton ç’do njeri me logjikë të shëndoshë.
Paramendojeni momentin kur në të ardhmen ky ”mjek” i avancuar në këtë mënyrë, ballafaqohet me sëmundjet e pacientëve që kushtëzojnë jetët e tyre, duke pasur përgatitjen më të dobët profesionale, e cila shihet qartazi sot nëpër spitalet tona. Mjekët tanë janë për të ardhur keq, ata janë të varfër, por jo për kah xhepi! ”Të pasur” për kah xhepi i tyre, por ”të varfër” për kah aspekti shkencor!
Normalisht qëllimi i tyre nuk është shërimi e kurimi i pacientëve, por ”mbushja e xhepave”. E si mund të jetë ndryshe, kur mjeku arrin t’i marrë pesëmbëdhjetë, madje edhe njëzet dhe pesëdhjetë euro për një vizitë e cila më së shumti mund të zgjatë dhjetë minuta, që e bën në ordinancën e tij private, sepse në atë publike pacientët nuk përfillen fare! Nuk jemi duke e nënvlerësuar rolin dhe rëndësinë e veprimtarisë së tij, mirëpo a është e logjikshme që të masakrohen ekonomikisht pacientët e shkretë shumica e të cilëve janë të moshës së shtyrë e pensionerë, dhe duke pasur parasysh gjendjen ekonomike dhe varfërinë me të cilën po përballet sot vendi?
Kjo po ngjet sikur mjekët tanë t’i kishte detyruar ndokush të marrin këtë rrugë profesionale, e pastaj ata të ”shfryhen” tek pacientët të cilët nuk kanë ndonjë faj! Sikur punën e tyre po e bëjnë ”me zor”!
Ndërsa për ekzaminimet apo analizat e tjera mjekësore jashtë vizitës së thjeshtë, mund të të dalë nga dora një rrogë e tërë mujore, e për çmimet e ilaçeve mos të flasim fare, të cilat janë të pa përballueshme dhe vendosen sipas parimit të konkurrencës, sepse nuk ekziston ndonjë ligj që e rregullon atë, për ç’ka bëhet fjalë për një ”masakër” në institucione shëndetësore.
Pastaj nëpër spitalet tona kemi edhe mungesë të infrastrukturës, higjienës, medikamenteve dhe pajisjeve esenciale të domosdoshme për funksionimin normal të tyre.
”Ne punojmë sikur në Afrikë, na mungojnë pajisjet esenciale”, po thoshte një motër medicionale në QKMF, pasi e futi gjilpërën e infuzionit në venën e dorës së një pacienti, duke e shqyer letrën ngjitëse të infuzionit në ambalazhin e tij, ku shkruhen të dhënat për përdorim, të cilën e përdori për të ngjitur atë gjilpërë të infuzionit tridhjetë minutash në dorën e pacientit në fjalë, ngase aty s’kishte as ngjitës!
Po ashtu, përveç përgatitjes së dobët profesionale, disa e madje shumica nga mjekët tanë po karakterizohen edhe me mungesë të etikës e të moralit njerëzor dhe me trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, gjë që rezultoi para pak ditëve me vdekjen e një pacienteje. Si duket e kanë harruar lëndën që e mësojnë në vitin e parë të studimeve, që ka të bëjë me etikën mjekësore! E kanë harruar apo e kanë blerë me para atë provim, kurrë nuk i dihet!
“S’ka buxhet” -arsyetohet shpesh ministria e shëndetësisë për parregullsitë! Po për mungesën e normave kryesisht etike e morale nëpër spitalet tona, dhe për ta bërë mjekun që të kryejë si duhet punën e tij, a nevojitet buxheti?!
Nuk janë të rralla rastet kur pacientët që dërgohen me urgjencë gjatë natës në QKMF, përballen me ”mjekët gjumashë” të cilët nuk e çajnë fort kokën dhe nuk iu duken shumë të rëndësishme rastet që mund tu arrijnë në atë kohë, e që do të ishte dashur që në ato momente të kenë gatishmërinë maksimale të veprimit.
I patolerueshëm dhe që nuk arsyetohet, ishte edhe rasti i një mjeku nga Peja i cili kishte rrahur gruan e tij në mënyrë shtazarake, madje në sy të kalimtarëve, rast ky i cili dëshmon çartë dhe shërben si një tregues se ç’farë kuadri mjekësor ka kultivuar arsimi dhe që e kemi prezent.
Ajo ç’ka ishte tronditëse para disa muajsh, ishte rasti i klinikës ”Heart” në Gjakovë, ku shumë pacientë në vend se të gjenin shërim, ata kishin gjetur vdekjen! Ata ishin manipuluar në mënyrat më të ulëta të mundshme dhe ishin detyruar të paguajnë shuma të mëdha parash, për shërbimet që nuk i kishin marrë. Si mund t’i merrnin shërbimet mjekësore nga mjeku ”pa diplomë” që kishte punuar aty?
Mos të harrojmë se gjashtëdhjetë për qind e vdekjeve në Kosovë ndodhin pa shkak, dhe pa kryerjen e obduksionit që është i obligueshëm me ligj, por që kundërshtohet nga familjarët. Ndërsa, në atë pak numër të obduksioneve që janë kryer deri me tash, është vërejtur se disa nga ato vdekje kanë ndodhur si shkak i gabimeve mjekësore dhe neglizhencës së tyre, e për të tjerat askush nuk e di.
Të gjitha këto raste dhe shumë të tjera që ndodhin ç’do ditë nëpër institucionet shëndetësore, dëshmojnë se aty po mbizotëron një katrahurë e vërtetë, dhe gjendja është jashtëzakonisht e padëshirueshme.
Prandaj, për të gjithë ata që ëndërrojnë që në të ardhmen ta kenë këtë profesion, do i kisha porositur me një frazë të shkurtër: ”Nëse e do mjekësinë vetëm për qëllime personale, mos ia mësyej fare mjekësisë”! Për këtë arsye institucionet arsimore duhet përgatitur në radhë të parë një mjek të moralshëm, të drejtë e jo të korruptueshëm, që si qëllim parësor dhe preokupim kryesor ka shëndetin, mirëqenien dhe ndihmën e popullit të tij, sepse një ”dështak” i pa aftë profesionalisht, me mantel të bardhë e mendje ”të zezë”, që ngarend pas interesave personale, nuk i duhet vendit. /2lonline/
/Hilmi GJAKOVA/