Mjedise të shëndetshme arsimore – ruajtja e shëndetit të fëmijëve!
Në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik (QRSHP) në Gjilan, në prani të zyrtarëve komunalë dhe drejtorëve të institucioneve arsimore, u prezantuan gjetjet e hulumtimit “Vlerësimi i kushteve mikroklimatike dhe higjienës në nyjat sanitare në institucionet arsimore të Komunës së Gjilanit”.
Hulumtimi u realizua nga IKSHPK, përmes Laboratorit të Parametrave Mjedisorë të Departamentit të Ekologjisë Humane, në bashkëpunim me QRSHP Gjilan dhe Drejtorinë Komunale për Arsim. Përmes pyetësorit të strukturuar, matjeve dhe vizitave në terren u vlerësuan përqendrimet e NO2, CO2, CO, formaldehidet, grimcat PM2,5, temperatura, lagështia relative në ambientet e brendshme, si dhe kushtet higjieno-sanitare.
Gjatë prezantimit, Prof. Antigona Ukëhaxhaj, ofroi pasqyrën e kushteve mikroklimatike dhe higjieno-sanitare në institucionet arsimore të hulumtuara, dhe aspektet që kërkojnë vëmendje për planifikimin e masave për përmirësim. Diskutimi me pjesëmarrësit e hapi Drejtoresha e QRSHP Gjilan, Dr. Burbuqe Shkodra, ku u mundësua shkëmbimi i informatave, adresimi i pyetjeve dhe shqyrtimi i mundësive për veprime tjera.
Hulumtimi ofron të dhëna dhe dëshmi profesionale për rëndësinë e monitorimit të rregullt të mjedisit të brendshëm dhe higjienës në institucionet arsimore, për mjedise të shëndetshme për fëmijët, nxënësit dhe stafin arsimor.
IKSHPK vazhdon të kontribuojë, përmes hulumtimit, monitorimit dhe ekspertizës profesionale, në mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit në mjediset ku fëmijët mësojnë dhe zhvillohen. /2LONLINE/
