Miti për hundën e Pinokio-s i rremë!

/Në vend të publikimit të ndonjë gënjeshtre, si shaka për shkak të 1 Prillit, risjellim një shkrim të mëhershëm/
/2L ONLINE/ – Nuk besoj që ka dikush ndër ne që nuk ka dëgjuar, ose nuk e ka parë filmin e animuar Pinokio. Të paktën di një pjesë sado të vogël të këtij tregimi, që në raste të caktuara edhe do ta kenë përdorë në jetën e përditshme, kur dikush mund t`i ketë gënjyer, ose është përpjekur që t`i gënjejë. Pinokio-s i rritej hunda sa herë që gënjente. Bile disa prindër e përdorin këtë fakt edhe si mjet edukues, kur i thonë fëmijës së tyre të mos gënjejë asnjëherë sepse i rritet pastaj hunda si e Pinokio-s.

Por, është mirë t’u thuhet të gjithëve e vërteta, e veçmas gjeneratave të reja, të cilat duhet edukuar në frymën e ndërgjegjes së pastër, se ky mit që ka të bëjë me rritjen e hundës së Pinokio-s sa herë që ai gënjen, nuk është asgjë tjetër veçse një gënjeshtër e kulluar.

Një gënjeshtër e shpikur nga politikanët, (të cilët duket të kenë pasur dorë për t`i bërë presion autorit të këtij tregimi, për ta futur edhe këtë si pjesë të rrëfimit), duke bërë që kjo të jetë një hile e tyre që do t’ju shërbejë mu siç i ka shërbyer djallit hilja e tij për mos ekzistencën e tij.

Po të ishte e vërtetë një gjë e tillë, se hunda rritet nga gënjeshtra, paramendoni pamjet që mund t’i shihnim gjatë përcjelljes së një seanca plenare qoftë e nivelit qendror apo lokal, të një konferencë të një politikani, deklarata apo debate të ndryshme të tyre, e të mos flasim pastaj se si do të dukeshin fushatat parazgjedhore tek ne.

Politika është bërë sot një fushë tejet e përshtatshme për premtime pa mbulesë, ku politikani mund të premtojë lirshëm para qytetarit-votuesit, çfarëdo qoftë, e që qysh në start, me fare pak analizë, mund të kuptohet se nuk do të mund të përmbushet. Dhe për këtë, ai nuk mërzitët fare. Bile çfarë është më e keqja ka raste kur politikanit nuk i duhet as të arsyetohet pastaj për premtimin e bërë e që del të jetë gënjeshtër, sepse ka plot raste kur atë e arsyeton vet qytetari-votuesi. Shumë shqetësuese kjo gjë, të mos të them tmerruese.

Më kujtohet një emision televiziv kur mysafirëve politikanë u tregoheshin në monitor titujt e gazetave me premtimet e bëra gjatë një fushatë zgjedhore, e të cilat jo që nuk ishin përmbushur, por shiheshin se ishin premtime të parealizueshme. Ishte vërtetë moment prekës, por që fatkeqësisht ja që ato tituj shkrimesh krijonin një ambient gazmor aty në studio e besojë edhe te shumë shikues.

Rrenën vëlla në politikë po e ha pazari. Po që se politikani po e arrin atë që ka synuar, rrena arsyetohet. Më e keqja është se nuk po ka ndërgjegjësim qytetar. Qytetari-votuesi deri më sot nuk ka arrit me vetëdijesua politikanin i cili është i thirrur me i zgjidh problemet shoqërore. Të mos harrojmë se institucioni i dorëheqjes si përgjegjësi morale nuk është instaluar te shumica absolute e politikanëve. Truri i politikanit tonë është jokompatibil ndaj kësaj përgjegjësie, hiq ndonjë përjashtim të vogël.

Ndonëse, shumica e qytetarëve, po të bisedosh privatisht, e kanë një bindje se politikanët punojnë për interes të tyre apo të klaneve të tyre, megjithatë këtë e harrojnë tutje në rrugëtim e sipërm. Një pjesë e afërt me ata politikanë (grupimin e tyre politik), këtë e bëjnë me shpresën që rrugës edhe ata i realizojnë interesat e tyre, disa të tjerë nga frika se mund të kenë telashe në prosperimin e tyre në fusha të ndryshme, e të tjerët si duket janë bërë rrafsh, janë mësuar të bashkëjetojnë me të keqen.

Fatkeqësisht edhe një mekanizëm për ndëshkime, siç është vota, nuk po përdorët mirë, bile çfarë është më e keqja, politika ka arrit në mënyrën e saj, ta bind një numër të madh të qytetarëve që mos ta shfrytëzojë këtë të drejtë, pra të abstenojë nga të votuarit, me arsyetimet se edhe ashtu vota e tyre nuk po ndryshon gjë, po vidhet, po keqpërdoret e çfarë jo tjetër, që mendojë se kjo edhe është shumë e gabueshme dhe është e rrezikshme për vetë demokracinë.

Po ashtu politika ka ngadhënjyer ndaj qytetarit edhe me faktin që e ka mësuar atë të ngopet me arsyetime për të qëndruar urtë ndaj papërgjegjësive politike. Besojë që keni dëgjuar arsyetimet e shumë qytetarëve për politikanët e papërgjegjshëm si fjali të tipit “Le të vjedhin se edhe ata para këtyre kanë vjedh”, ose “Le të vjedhin sepse kur të vjedhin boll ngihet mirë dhe nuk e bëjnë më”, apo “nuk i ka fajet ky po ata naltë’, “ ja kanë lidh të jashtmit duart, nuk po varet prej tij se ky i mirë o.”, “veç sa të vijmë këta në pushtet se qytetarit do ti kthehet dinjiteti”, “ nuk o koha tani me kritiku se duhet uniteti për veriun…” e arsyetime të tjera.

Ndërkohë që ka edhe shumë raste për habi kur në mes të interesit dhe veprimit tek një qytetar, ka një disharmoni të madhe. Ka qytetarë që kanë shumë halle në familje, me papunësi, me shembull probleme që u shkaktojnë fëmijët në shkollë e të tjera, ndërsa ata preokupohen tërë ditën me atë se si të shkohet në veri të largohen barrikadat, apo të protestohet në skajin tjetër të Kosovës, për dike që si ka punët mirë me drejtësinë, a me ndërkombëtarët. Të mos keqkuptohem nuk i minimizojë problemet e përgjithshme të vendit dhe kontributin që duhet dhënë çdo qytetarë, nga çdo skaj i vendit, por veç po e vë në fokus se kush po merret me to…

Sidoqoftë, nëse duam ta identifikojmë dhe ndëshkojmë politikën gënjeshtare nga cilët do politikanë, nga cilido front politik, pozitë e opozitë, mos të presim këtë ta bëjmë duke parë se a po u rritet atyre hunda apo jo, sepse thash më lartë, se miti për hundën e Pinokio-s është i rremë. Por, t’ia shikojmë fjalët, veprimet dhe të veprojmë në drejtimin ta bëjmë politikanin të përgjegjshëm, besa edhe duke e ndëshkuar me votë.

Ka ardhur koha të rishkruhet përralla e Pinokio-s dhe të tjera përralla si kjo. /2L ONLINE/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE