/2L ONLINE/ – Lumi Mirusha në Gjilan vlerësohet si një prej projekteve kapitale që do të ndryshonte edhe panoramën e Gjilanit. Por, ajo ka ditur të jetë shpesh herë edhe “kartë” mbi të cilën kanë luajtur politikanët nëpër fushata zgjedhore duke kërkuar votën në këmbim të realizimit të këtij projekti.
Për më tepër, ka qenë Hashim Thaçi sa ishte kryeministër, që pat deklaruar përgjatë një fushate se pikërisht realizimi i këtij projekti do të bëjë që gjilanasit ta ndajnë kohën në “Epoka para Mirushës” dhe “Epoka pas Mirushës”, sepse kjo, sipas tij, edhe do ta bëjë dallimin e një Gjilani të vjetër dhe të një Gjilani të ri. Megjithatë, përkundër punëve të bëra deri më tani dhe premtimeve që jepen me afate për përfundim të saj, Mirusha ende ka mbetur e papërfunduar.
Lidhur me këtë opozita, përkatësisht Vetëvendosje në Gjilan , ka kritikuar të gjitha pushtetet e deritanishme në Gjilan, por edhe n nivel qendror për qasje joserioze ndaj këtij projekti.
Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit komunal nga radhët e vetëvendosjes ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se nuk është për çudi ky premtim i ish kryeministrit Thaçi se me rregullimin e lumit Mirusha do ta identifikoj Gjilanin e vjetër me të riun, sepse kaherë këtij premtim i ka dalë boja, për faktin se kanë kaluar 8 vite nga ky projekt kapital dhe i proklamuar me një pompozitet të lartë, sa që PDK asaj kohe edhe i kishte fituar zgjedhjet në Gjilan duke u thirr pikërisht në këtë “kartë”.
Mirëpo, siç thotë Sylejmani, qytetarët gjilanas janë shumë të vetëdijshëm për të vlerësuar këtë premtim, meqë jo që nuk ka përfunduar, por as që pritet, në një të ardhme të afërt të përfundojë dhe kjo situatë e palakmueshme për qytetarët për rreth këtij lumi, bashkë me qytetarët tjerë gjilanas ka kaluar në një situatë neveritëse për ta. Jo vetëm që nuk kemi pra një Gjilani të ri, por kemi shumë më shumë pakënaqësi tek qytetarët dhe një kaos për rreth këtij shtrati që ka mbet ende pa përfunduar. Është krijuar vërtetë një Mirushë legjendare.
Ai thotë se me plotë të drejtë qytetarët janë të zhgënjyer tej mase për këtë ngecje të këtij projekti. Premtime marramendëse kemi pasur para dhe gjatë fushatës elektorale, por punë praktike dhe konkrete shumë pak. Kjo mënyrë e politikëbërjes është e papranueshme për të gjithë qytetarët, sepse vërtetë Gjilani në çdo kohë dhe rrethanë e ka dëshmuar veten, me aktivitete dhe kontribute të ndryshme.
“Ishe kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, vazhdimisht shpresonte dhe pohonte në ndihmën financiare të qeverisë për finalizimin e këtij projekti, teksa tash jemi në vitin 2015 dhe punët kanë ngelur në gjysmë. Ndërsa premtimet për përmirësimin e infrastrukturës ende mbesin në fazën e premtimeve, derisa kryetari aktual Lutfi Haziri, ka thënë se këto investime në fazën e parë do të jenë 2.5 milionë euro dhe do të përfshijnë
investimet në kanalizim, rrugë dhe ndriçim”, thotë Sylejmani.
“Këtë vit do t’i japim përparësi përfundimit të shtratit të lumit Mirusha”, kështu patë thënë në fillim të mandatit të tij, Haziri, kujton Sylejmani, por sipas tij, realiteti është krejt diçka tjetër. Ndonëse një ndër problemet kryesore që e kanë zvarritur këtë projekt ndër vite ka qenë edhe shpronësimi.
“Pavarësisht rrethanave aktuale dhe ngecjeve të punimeve të shtratit të lumit Mirusha, kryetari aktual Haziri duhet bëjë çmos që këtë projekt kapital ta përfundojë domosdoshmërish. Nuk do të justifikohet më me asnjë veprim, sepse tashmë edhe qeverinë e udhëheq njeriu që vjen nga partia e kryetarit Haziri”, thotë Sylejmani i Vetëvendosjes.
Sipas tij, Gjilani nuk e ka merituar ti vendoset bërryl nga organet qendrore rreth grandeve veçmas qeveritare, por përkundrazi të shpërblehet me sa më shumë grande, për faktin se qytetarët gjilanas cilësohen në Kosovës si qytetarët më të ndërgjegjshëm rreth obligimeve tatimore, komunale dhe shtetërore. /2L ONLINE/