Mirënjohje për 43 vite shërbim, pensionohet infermierja Sebahate Rukovci
“Pas një karriere të gjatë në shërbim të pacientëve, është pensionuar infermierja gjilanase Sebahate Rukovci”, njofton Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), në Gjilan.
Ajo e nisi rrugëtimin profesional në vitin 1983 në ish-Shtëpinë e Shëndetit në Gjilan, sot QKMF “Dr. Nagip Rexhepi”, ku për dekada me radhë shërbeu me profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm të lartë.
Për 15 vite me radhë, deri në pensionim, ajo ushtroi detyrën e kryeinfermieres në QMF Dardani, duke dhënë kontribut të veçantë në organizimin dhe menaxhimin e shërbimeve infermierore. E njohur për qasjen e saj të ngrohtë dhe kujdesin ndaj pacientëve, ajo ka lënë gjurmë të veçanta në institucion dhe komunitet.
“Në mars 2026, ajo u pensionua, duke u përcjellë me mirënjohje nga kolegët dhe familjarët. Në emër të menaxhmentit të QKMF-së, shprehim falënderimin për 43 vitet e kontributit të saj të çmuar dhe i urojmë shëndet dhe mirëqenie në vazhdim”, thuhet në njoftimin e QKMF-së. /2LONLINE/
