Miratohen me një ndryshim kriteret për punësim në arsim
/2L ONLINE/ – Komiteti për Arsim i ka miratuar me minimumin e votave një ndryshim të kritereve për punësimin e mësimdhënësve, duke rekomanduar që poentimi për kandidatin që është banor i Komunës së Gjilanit si dhe për kandidatin vendës në fshatin ku gjendet shkolla, të ulet nga 1 pikë në 0.5 pikë. Kriteret tjera janë lënë ashtu siç i ka propozuar Drejtoria e Arsimit.
Arben Mehmeti, kryesues i Komitetit të Arsimit, ka thënë se realisht, këto kritere e kanë lehtësuar shumë punën e komisioneve gjatë përzgjedhjes së kuadrit mësimor, prandaj ka kërkuar që të miratohen ashtu siç janë, me ndryshimin e vetë te kriteri për kandidatin që është banor i Komunës së Gjilanit dhe kandidatin vendës në fshatin ku ndodhet shkolla.
ShukrijeRapuca e LeonoraBunjaku (PDK) kanë kërkuar që të ulet edhe kriteri i shkathtësive në interpretim profesional, për 0.50 pikë, duke thënë se ky është një kriter i panevojshëm.Opozita (PDK e VV), përfshirë edhe AAK-në, kanë pasur vërejtje edhe për disa kritere të tjera, siç është barazimi i përvojës së punës me vitet e pritjes për punësim dhe të tjera.
ShukrijeRapuca (PDK) ka thënë se me kriterin e shkathtësive profesionale nuk është pajtuar as në të kaluarën dhe nuk pajtohet as tani, sepse është kriter për manipulim.LeonoraBunajku (PDK) ka thënë se duhet të ketë dallim në vlerësim të përvojës së punës dhe kohës së pritjes. Ajo ka thënë se po përdoren kritere të dyfishta. Përvoja e punës duhet të vlerësohet më tepër se koha e pritjes, ka thënë Bunjaku.
FehmiSylejmani (VV) ka thënë se drejtori i shkollës, në cilësinë e anëtarit të komisionit intervistues, duhet të ketë më tepër mundësi poentimi se dy anëtarët tjerë, ndërkaq ka kërkuar që vlerësimi me pikë për kandidatin vendës të hiqet krejtësisht. Sa i përket kriterit të përvojës dhe pritjes, Sylejmani ka thënë se pritja duhet të poentohet më tepër.
Edhe Ajtene Shahiqi (AAK) është pajtuar që pritja duhet të vlerësohet me më tepër pikë se përvoja e punës.
Kohën e pritjes për punë dhe përvojën e punës i ka cilësuar kritere për diskutim edheIdrizRamadani (LDK). Ai ka thënë se anëtarëve të komisionit vlerësues duhet t`iu zvogëlohen mundësitë e poentimit, sepse ata kanë shumë pikë dhe nëse votojnë të tretë njësoj, atëherë automatikisht mund ta favorizojnë një kandidat të caktuar.
Kriteret janë prezantuar nga Bardhyl Syla (DKA), i cili ka thënë edhe sqarime dhe përgjigje në pyetjet e anëtarëve të Komitetit të Arsimit. Pakënaqësi mund të ketë gjithmonë, pas një konkursi, por poentimi i kandidatëve është kriter ligjor, ka thënë Syla.
Ai mohoi që ndonjëherë të jetë formuar komision mbi baza politike. Punësimi është bërë sipas kritereve ligjore, ka thënë ai dhe ka përmendur disa shembuj ku ka fituar kandidati i PDK-së ndaj një kandidati të LDK-së. Sa i përket testimit të shkathtësive profesionale, Syla ka sqaruar se ky kriter parashihet edhe me ligj.
Arta Hyseni (LDK) ka thënë se ajo është njëra prej atyre që nuk është pranuar në punë në arsim, edhe pse është aktiviste partiake.
Përndryshe, Komiteti i Arsimit ka diskutuar edhe për rastin e nxënësve të dy shkollave të mesme në Zhegër, të cilët kanë bojkotuar gjatë një gjysmëvjetori lëndën e historisë, në këndvështrimin se kush është përgjegjësisë për këtë. FehmiSylejmani ka thënë se këta nxënës e kanë kryer shkollimin në mënyrë jo të ligjshme. LeonoraBunjaku ka thënë se drejtorët e shkollave nuk kanë përgjegjësi, por fajin e ka drejtori i Arsimit, i cili ka lejuar që të mos mbahet mësimi katër muaj. Por IdrizRamadani thotë se përgjegjësi mbajnë edhe drejtorët e të dy gjimnazeve që kanë paralelet e ndara në Zhegër.
Bardhyl Syla nga DKA-ka ka sqaruar se drejtori i Arsimit i ka autorizuar zyrtarët kompetentë që të vizitojnë shkollën në Zhegër dhe të konstatojnë orët e humbura. Pas verifikimit të gjendjes, ai ka marrë vendim për organizimin e mësimit plotësues për orët e humbura. “Sipas informatës që kemi ne, mësimi plotësues në lëndën e historisë është mbajtur dhe procesi është mbyllur”, ka thënë Syla.
Njëherësh, Komiteti i ka rekomanduar Drejtorisë së Arsimit që t`i shikojë mundësitë për t`i ndihmuar financiarisht dy pjesëmarrëset tona në garën e matematikës në Hong Kong, të cilën e ka kërkuar FehmiSylejmani (VV).
Po ashtu Komiteti ka rekomanduar që paralelet e shkollës së mesme në Zhegër të mos tërhiqen në qendër, por të vazhdojnë punën sikur deri më tani, në mënyrë që asnjë nxënës të mos mbetet pa u regjistruar në shkollat e qytetit dhe asnjë mësimdhënës të mos rrezikojëvendin e punës për këtë shkak. /2L ONLINE/
