DYLON

Miratimi i MSA-së pikërisht më 30 prill, një simbolikë e mirë për Gjilanin

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Miratimi i MSA-së sot me 30 prill, kishte një simbolikë të mirë për Gjilanit, pasi pikërisht në këtë datë, një vit më parë, Gjilani kishte bërë hapin e parë drejt Brukselit. Në këtë datë, të vitit 2014, pesë gjilanas kishin nisur shtegtimin e tyre në këmbë nga Gjilani për në Bruksel. nën moton 5 milion hapa për një hap. Ishte kjo simbolika e ecjes drejt Brukselit me qëllim që ta përçohej kërkesa e qytetarëve të Republikës së Kosovës për lëvizje të lirë, për mundësi të lirë dhe mundësi të barabartë me të gjithë popujt e Evropës.

Ndryshe, Grupin “Shtegtarët e Lirë” e përbënin në nisje, Nazim Ajdini, Jahi Mustafa, Xhevdet Shabani, Liridon Basha dhe Ekrem Avdiu, derisa rrugëtimin e plotë e kanë kryer katër të parët.

EkoHigjiena

Tani një vit më pas, njëri nga shtegtarët Jahi Mustafa tha për 2L ONLINE, se kujton çdo detaj të këtij rrugëtimi duke thënë se bashkë me shokë, por edhe të gjithë përkrahësit pa dallim, dëshironin që t’i tregonin botës mbarë, se edhe Kosova e qytetarët e saj janë pjesë e Evropës dhe edhe ata e meritojmë të lëvizim gjithandej të lirë dhe pa pengesa.

Mustafa i gëzohet miratimit të MSA-së dhe e vlerëson një koincidencë të këndshme që pikërisht me 30 prill Komisioni Evropian ka miratuar, me procedurë të shkruar, tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Me këtë hap, KE ka përmbyllur procedurën e vet, e cila tani do t’i kalojë Këshillit, gjegjësisht shteteve anëtare për të marrë vendim për nënshkrimin e marrëveshjes. Sipas BE-së, synohet që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të bëhet gjatë verës, përkatësisht muajit qershor, ndërsa hyrja në fuqi e saj parashihet për fillimin e vitit që vjen.

Ndryshe, “Shtegtarët e lirë” kishin ecur këmbë mbi 2500 kilometra, një udhëtim ky që zgjati 78 ditë. Ishin nisur me 30 prill për tu kthyer me 17 korrik. Ideja e këtyre djemve ka qenë që t’i bëjnë si simbolikë 5 milionë hapa drejt BE-së, që kjo ta bëjë 1 hap drejt Kosovës. Dhe, tani Mustafa tha se i gëzohet aktit të sotshëm edhe pse ka punë akoma.

“Mendoj që padyshim ka qenë udhëtim që ia ka vlejtur të bëhet dhe ia vlen të theksohet që ne, si qytetarë të Evropës, kemi nevojë të bëhemi pjesë e BE-së dhe të kemi të njëjtat të drejta si popujt e tjerë”, thotë Jahi Mustafa duke falënderuar të gjithë ata që ndihmuan këtë rrugëtim të tyre, në çdo fazë të saj. /2L ONLINE/