Miqësoret e Dritës dhe ndeshja e Superkupës së Kosovës në Antalia!
Siç dihet tashmë më, FC Drita ndodhet në Antalia të Turqisë, për fazën përgatitore, si pjesë e përgatitjeve intensive për garat e mëtutjeshme.
Gjatë qëndrimit në Turqi, skuadra “bardh e kaltër”, ka paraparë edhe disa ndeshje kontrolluese, me synim arritjen e formës optimale për sfidat vendore e evropiane që e presin këtë skuadër.
Zyrtarët e klubit kanë bërë me dije se miqësoret e Dritës do të jenë ato me: FC Vasas, FC Dobruzhda, FC Altai dhe MFK Michalovce, transmeton Portali 2LONLINE.
Po ashtu, dihet edhe se ndeshja e Superkupës në mes të FC Drita, kampione e Kosovës dhe FC Prishtina, fituesja e Kupës së Kosovës për edicionin 2024/25, do të luhet në stadiumin “Mardan Palace” në Antalia.
Duke marrë parasysh faktin se të dyja ekipet janë të angazhuara në fazën përgatitore dimërore deri më 30 janar 2026 në Antalia, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, në përputhje me agjendën e klubeve, kishte marrë vendim që Superkupa e Kosovës të zhvillohet në këtë periudhë dhe në këtë lokacion, transmeton 2LONLINE.
Përndryshe, ndeshja e Superkupës së Kosovës do të zhvillohet më 25 janar 2026 (e diel), me fillim nga ora 14:30, sipas orës lokale të Turqisë (12:30 sipas kohës në Kosovë). /2LONLINE/
