MINTI: Intensifikohet mbikëqyrja e tregut të derivateve të naftës, zbritja e çmimeve në tregjet globale po reflektohet edhe në Kosovë
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), po vazhdon mbikëqyrjen e vazhdueshme të tregut të derivateve të naftës në Republikën e Kosovës.
Në veçanti, gjatë ditëve të fundit janë intensifikuar aktivitetet inspektuese, me qëllim të përcjelljes dhe reflektimit të lëvizjeve të çmimeve nga tregjet ndërkombëtare në tregun vendor.
Në këtë kuadër, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mban komunikim të vazhdueshëm me Doganën e Kosovës, nga e cila pranon informacione zyrtare në baza ditore lidhur me çmimet e importit të derivateve.
Këto të dhëna shërbejnë si bazë për analizën dhe mbikëqyrjen e çmimeve të shitjes në tregun e brendshëm, përmes aktiviteteve të IQMT-së.
Analiza e lëvizjes së çmimeve bëhet duke marrë për bazë tri referenca kryesore: çmimin mesatar të furnizimit të ditës paraprake, çmimin mesatar të furnizimit të 10 milionë litrave të fundit të importuara, si dhe çmimin mesatar të shitjes në tregun vendor.
Nga inspektimet e realizuara gjatë dy ditëve të fundit është vërejtur se tendenca e rënies së çmimeve të derivateve në tregjet globale ka filluar të reflektohet edhe në tregun e Republikës së Kosovës.
Gjatë 24 orëve të fundit, çmimi mesatar i naftës ka shënuar rënie nga 1.83 euro në 1.79 euro për litër, ndërsa çmimi mesatar i benzinës ka arritur në 1.43 euro për litër. Këto lëvizje janë në përputhje edhe me të dhënat zyrtare të importit, të cilat Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit i pranon nga Dogana e Kosovës.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve, garantimin e transparencës dhe mbikëqyrjen e rregullt të tregut, me fokus të veçantë në parandalimin e çdo devijimi të pajustifikuar në raport me lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Inspektimet dhe monitorimi i tregut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim që ndryshimet në çmimet e furnizimit të reflektohen në mënyrë të drejtë dhe në kohë edhe te konsumatorët e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e MINTI-t. /2LONLINE/
