MINTI forcon mbikëqyrjen e tregut, janë realizuar mbi 3,000 inspektime në fusha të ndryshme
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë , Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) gjatë vitit 2026 ka shënuar progres të rëndësishëm në forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, në shkurt të vitit 2026, MINTI i ka kushtuar rëndësi të veçantë rritjes së efikasitetit të inspektimeve, forcimit të kontrollit të tregut dhe adresimit të shpejtë të ankesave të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Më tej në njoftim thuhet:
Vetëm gjatë pjesës së parë të vitit 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar mbi 3,000 inspektime në fusha të ndryshme, përfshirë tregun e derivateve të naftës, sigurinë e përgjithshme të produkteve, mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit. Po ashtu, janë realizuar mbi 250 inspektime për verifikimin e përmbushjes së kushteve minimale teknike nga operatorët ekonomik.
Në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve, gjatë kësaj periudhe janë adresuar mbi 600 ankesa, ndërsa IQMT ka zhvilluar edhe aksione të përbashkëta me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Efikasiteti i shtuar në mbikëqyrjen e tregut është reflektuar edhe në masat ndëshkuese. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shqiptimi i gjobave është rritur për 33.33%. Gjatë pjesës së parë të vitit 2026 janë shqiptuar afërsisht 600 mijë euro gjoba për shkelje të ndryshme të evidentuara gjatë inspektimeve, përfshirë mospërputhjen e çmimeve raft–arkë, tregtimin e produkteve pa deklaracion, ushtrimin e veprimtarisë pa regjistrim në ARBK, përdorimin e mjeteve matëse me afat të skaduar të vlefshmërisë, mosrespektimin e afateve të përcaktuara në procesverbalet e inspektimit, tregtimin e produkteve me afat të skaduar, si dhe vendosjen në treg të produkteve që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Me qëllim të adresimit të drejtpërdrejtë të problematikave që prekin qytetarët, IQMT ka zhvilluar aksione të veçanta inspektuese në fusha me interes të veçantë publik. Ndër temat e trajtuara kanë qenë çmimet e derivateve të naftës, njehsorët elektrikë, kriptovalutat, veprimtaria e qendrave të masazhit dhe lokaleve të natës, produktet e qumështit, shitja e cigareve elektronike në afërsi të shkollave fillore, parkingjet private të paregjistruara në ARBK, si dhe çështje të tjera të ngritura nga konsumatorët e Republikës së Kosovës.
Progres është shënuar edhe në rritjen e kapaciteteve të Inspektoratit, ku ka përfunduar faza e parë e transferimit të inspektorëve lokalë të tregut në Inspektoratin Qendror. Ky proces ka krijuar kapacitete më të mëdha për mbikëqyrjen e tregut në nivel vendi, ndërsa deri në fund të vitit 2026 synohet që numri i Inspektorëve të Tregut të arrijë në 100.
Në kuadër të rritjes së transparencës dhe ofrimit të shërbimeve më efikase për qytetarët, MINTI ka lansuar edhe platformën në Viber për adresimin e shpejtë të ankesave të konsumatorëve, në numrin +383 (46) 311-000.
Në kuadër të bashkëpunimit institucional, është funksionalizuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Deri në muajin korrik janë organizuar katër takime, në të cilat, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve relevante, janë trajtuar çështjet më të rëndësishme dhe problematikat me të cilat përballen konsumatorët në vend.
Këto rezultate dëshmojnë përkushtimin e MINTI-t për një treg më të rregullt, më transparent dhe më të sigurt, si dhe për forcimin e mekanizmave institucionalë në mbrojtje të konsumatorëve dhe interesit publik. MINTI do të vazhdojë punën për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve inspektuese, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe garantimin e respektimit të legjislacionit në fuqi, me synim krijimin e një mjedisi të drejtë dhe të sigurt për bizneset dhe konsumatorët, thuhet në njofitmin e MINTI-it. /2LONLINE/
