MINTI dhe AUV nisin verifikimin e produkteve të qumështit në mbarë vendin
“Pas raportit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) mbi gjetjet laboratorike të mostrave të analizuara nga produktet e qumështit, Inspektorati Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut (IQMT), në bashkëpunim me inspektorët e AUV-së, ka filluar sot një aksion të koordinuar për inspektimin e deklaracioneve dhe etiketimit të produkteve të qumështit në rrjetet e marketeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).
Më tej në njoftim thuhe: Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, garantimit të informimit të saktë për produktet ushqimore dhe forcimit të sigurisë në treg, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) do të intensifikojë mbikëqyrjen e tregut të qumështit, duke përfshirë si produktet e prodhuara në Republikën e Kosovës, ashtu edhe produktet e importuara.
Në përputhje me Ligjin për Ushqimin dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, inspektimet janë fokusuar në verifikimin e etiketimit, reklamimit dhe paraqitjes së produkteve në treg, për të vlerësuar nëse ato janë në përputhje me rezultatet e ekzaminimeve laboratorike të kryera nga AUV.
Për të parandaluar praktikat mashtruese ndaj konsumatorëve, MINTI u bën thirrje të gjitha kompanive, produktet e të cilave kanë rezultuar të mos jenë në përputhje me deklaracionin e vendosur në etiketë, që të ndërmarrin menjëherë masat e nevojshme për korrigjimin e etiketimit dhe tërheqjen e produkteve nga tregu.
Në të kundërtën, në bazë të kompetencave ligjore, IQMT-ja dhe AUV-i do të ndërmarrin masa administrative dhe ndëshkuese, duke përfshirë edhe ndalimin e përkohshëm të tregtimit të produkteve që nuk përmbushin kërkesat ligjore.
Gjithashtu, lidhur me dyshimet për përdorimin e ujit të ujitjes në procesin e prodhimit dhe përpunimit të produkteve të qumështit nga një kompani në Kosovë, IQMT ka zhvilluar sot një inspektim për vlerësimin e përmbushjes së kushteve minimale teknike, në bashkëpunim me zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe zyrtarët e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Drini i Bardhë” Pejë.
Gjatë inspektimit janë marrë mostra të ujit, që përdoret në procesin e prodhimit, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe analizave për praninë e metaleve. Pas përfundimit të analizave dhe pranimit të rezultateve zyrtare, institucionet kompetente do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi.
MINTI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesit të konsumatorëve, garantimin e konkurrencës së ndershme në treg dhe zbatimin e plotë të standardeve ligjore për sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore. /2LONLINE/
