Me ftesë të Bashkimit Evropian, ministrja për Dialogun e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri po qëndron në Bruksel ku dje ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian të angazhuar në dialogun e Brukselit . Temë qendrore e bisedimeve ka qenë vlerësimi i të arriturave të deritashme si dhe përcaktimi i prioriteteve për mbarëvajtjen e dialogut të Brukselit për fazën vijuese.
Në takim janë diskutuar arritjet dhe sfidat e këtij procesi si dhe është shprehur përkushtim i përbashkët për të shpejtuar procesin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Brukselit. Është vlerësuar rëndësia e vazhdimit të dialogut sidomos duke marrë parasysh krijimin e momentumit të ri pas arritjes së marrëveshjes për drejtësi në mes të dy kryeministrave të shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së, znj. Federica Mogherini.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri me këtë rast ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se zbatimi i i marrëveshjeve të dialogut është çështje prioritare duke potencuar se marrëveshja e arritur në drejtësi është një rifillim i mbarë për dialogun, mirëpo zbatimi i saj duhet të jetë i shpejtë dhe të mos lejohen zvarritjet kronike që Serbia ia bënë këtij procesi. Ajo po ashtu ka kërkuar që të shpejtohet procesi i shuarjes së strukturës së ashtuquajtur “Mbrojtje civile”, ndërkohë që ka siguruar se plani për integrimin e ish pjestarëve të kësaj strukture në institucionet civile të Kosovës është i gatshëm nga Qeveria e Kosovës. Ministrja Tahiri ka kërkuar nga BE-ja që të mos e vonoj mëtej heqjen e barrikadës nga Ura e Ibrit dhe të tjerave, sepse kjo çështje është në kompetencat e BE-së, në bazë të marrëveshjes.
Ministrja Tahiri ka kërkuar në mënyrë të veçantë shuarjen e gjithë strukturave komunale paralele nga ana e Serbisë duke ia paraqitur BE-së zhvillimet e fundit në këtë sferë. Ajo ka theksuar se funksionalizimi i strukturave legale komunale në veri të Kosovës po pengohet nga ndërhyrjet e Serbisë ku në veçanti ka potencuar se nëse komunat veriore nuk i miratojnë buxhetet legale do të ballafaqohen me pasoja juridike dhe bllokim të buxhetit.
Ajo po ashtu ka kërkuar angazhimin e BE-së për zbatimin e shpejtë dhe fektiv të gjitha marrëveshjeve përfshirë telekomin, energjinë, etj.