(2LONLINE) – Ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku me bashkëpunëtorët e vizitoi sot Komunën e Kamenicës, ku u prit nga Kryetari i Komun[s Begzad Sinani dhe zyrtarët e lartë komunalë. “Kjo është hera e tretë që e vizitoj Kamenicën gjatë mandatit tim dhe jam sot këtu për t`u uruar për punën Tuaj dhe për të diskutuar dhe bashkërenduar punët dhe detyrat në disa çështje me rëndësi të përgjithshme në një proces mjaft të rëndësishëm.” tha Ministrja Çitaku.
Kryetari Sinani shprehu gatishmërinë e institucioneve komunale për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e veta në raportet e Planit të Veprimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. “Tanimë në zyrën e Integrimeve Evropiane janë të angazhuar tre persona dhe kjo tregon seriozitetin tonë për këtë proces, në të cilin kërkojmë edhe ndihmën dhe mbështetjen e ministrisë suaj” tha Sinani.
Në takim u fol për rintegrimin e personave të riatdhesuar, me që rast u tha se në vitin e kaluar në Kamenicë janë riatdhesuar 194 persona, porse vetëm një numër simbolik I tyre kanë dërguar plane të biznesit për të qenë përfitues.
Për këtë temë në takim pati pajtim që të formohet një ekip zyrtarësh komunalë që do t`i ndihmojë të riatdhesuarit për të aplikuar në projekte. Gjithashtu Ministrja Çitaku ka ofruar mbështetjen teknike të ministrisë për ta ndihmuar komunën për të aplikuar në fondet e Komisionit Evropian.
‘Janë fondet për infrastrukturën e komunave, projekti “Kosova e bukur” dhe projekte të tjera nga të cilat komuna mund të jetë përfituese dhe për këtë e keni mbështetjen tonë të plotë.” tha ministrja Çitaku.
Në takim u fol edhe për hartimin e një plani të veprimit për implementimin e strategjisë për komunitetet RAE, ndërsa nga zyra për integrime evropiane u theksua se janë edhe 67 veprime që duhet të ndërmerren në bazë të pyetësorit për raportin tremujor të PVMSA-së./2lonline/