Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i dhuroi FSK-së 135 tituj të rinj të librave

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i dhuroi FSK-së 135 tituj të rinj të librave

Bibliotekës së Forcës së Sigurisë të Kosovës në kazermën „Adem Jashari“ në Prishtinë, iu shtuan edhe 135 tituj të rinj të librave në gjuhën shqipe të cilët u dhuruan nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Për ta dorëzuar këtë donacion në ekzemplar në FSK kishte ardhur ministri i MKRS-së, z. Kujtim Gashi i cili u mirëprit nga zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore koloneli Hasan Hoxha dhe komandanti i Njësisë për Reagim në Kriza nënkoloneli Milaim Musliu.

Gjeneral Cikaqi e falënderoi ministrin Gashi për ekzemplarët e librave që i dhuroi, të cilët siç tha ai, do ta begatojnë edhe më shumë Bibliotekën e FSK-së.

Ndërsa, ministri Gashi u shpreh i kënaqur për dhurimin e këtyre librave, duke thënë se ky nuk do të jetë donacioni i fundit për këtë bibliotekë „Donacioni që po e dorëzojmë sot është tejet cilësor. Këta libra janë librat më të mirë që janë botuar gjatë vitit 2018, andaj jam shumë i kënaqur që këta tituj po ia dhurojmë FSK-së. Ne nuk do të ndalemi vetëm më këtë donacion, por do vazhdojmë edhe në të ardhmen më donacione të tilla për këtë bibliotekë”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi.

Nënkolonel Musliu dhe përgjegjësja e Bibliotekës tetar Samire Tahiraj e njoftuan në pika të shkurtra ministrin Gashi për historikun e Bibliotekës së FSK-së, donacionet e dhuruara deri me tani, mënyrën e shfrytëzimit të librave të bibliotekës nga pjesëtarët e FSK-së, si dhe për vizitat e shumta të cilat i bëhen kësaj biblioteke.

Biblioteka e FSK-së çdo ditë e më shumë po pasurohet me tituj të ndryshëm të librave si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhën angleze, në mënyrë që pjesëtarët e saj të kenë mundësi të jenë sa më afër librit.

KOMENTE