Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ( AKSP ), ku u prit nga drejtori i Përgjithshëm i AKPS-së , Ismail Smakiqi.
Me këtë rast ministri Veliu u njoftua për së afërmi me punën e AKSP-së dhe sfidat që janë duke i kaluar ata gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.
Ministri Veliu në këtë takim shprehi gatishmërinë e tij për të mbështetur këtë institucion që tashmë njihet ndërkombëtarisht. Ai gjithashtu falënderoi partnerët ndërkombëtarë që kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm në përkrahjen e këtij institucioni dhe u zotua për përkrahjen e Akademisë në proceset e akreditimit të cilat e presin në periudhën e ardhshme.
Në anën tjetër, Smakiqi bëri një prezantim të shkurtër të AKSP-së, ku e njoftoi z. Veliu që implementimi i programeve dhe trajnimeve të dizajnuara në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe sundimit të ligjit, do të jenë primare dhe obligative për të gjithë, në mënyrë që të arrihet profesionalizëm më i lartë në shërbim të vendit dhe qytetarëve.
Gjatë kësaj vizite, ministrit Veliu iu prezantua ushtrimi praktik me instruktor, ku kadetët e FATS-it patën rastin të demonstrojnë ushtrimin me armë zjarri, si dhe vizitoi klasën ku po mbahen trajnimet online me kadet .
Në fund ministri Veliu iu drejtua kadetëve duke i inkurajuar për durim dhe disiplinë gjatë kësaj periudhe të pandemisë si dhe kërkoi nga ta të tregojnë angazhim dhe përkushtim për të arritur rezultate sa më pozitive si në anën profesionale, e po ashtu edhe në atë të shkathtësive fizike.