Me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu e ka njoftuar kabinetin qeveritar për aksionin e Policisë së Kosovës kundër krimit dhe veprimtarisë ilegale në Karaçevë dhe në disa vende të tjera të Kosovës.
Ministri Veliu ka theksuar se aksioni ka qenë i planifikuar dhe përgatitur pas grumbullimit të dëshmive dhe provave për zhvillimin e aktiviteteve të jashtëligjshme në këto vende.
Në këtë aksion janë arrestuar 37 persona, janë konfiskuar shumë prova materiale të veprimtarisë ilegale dhe janë rrënuar 12 objekte.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe 12 zyrtarë policorë.
Ministri Veliu ka shprehur vendosmërinë e vazhdimit të luftës kundër krimit dhe çdo veprimtarie joligjore në Republikën e Kosovës.