DYLON

Ministri Shala rikonfirmoi nisjen e projektit të palestrës sportive brenda këtij viti

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në Viti ka qëndruar sot zv. kryeministri i Kosovë, respektivisht ministri i kulturës , rinisë dhe sporteve Kujtim Shala, i shoqëruar edhe nga kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, me që rast kanë zhvilluar një takim me udhëheqjen komunale të Vitisë.

Fillimisht ata kanë zhvilluar një takim në ambientet e komunës, ndërsa janë prononcuar para mediave gjatë një konference shtypi të mbajtur në galerinë e Shtëpisë së Kulturës.

EkoHigjiena

Vizita e ministrit Shala në Viti u zhvillua në kuadër të ciklit të vizitave që ai po realizon nëpër qendra të Kosovës, për të parë nga afër mundësit dhe për të shqyrtuar ato në realizim të projekteve që kanë të bëjnë me zhvillimin e kulturës, sportit dhe rinisë.

“Ne jemi duke vizituar gjitha komunat e Kosovës, në radhë të parë ato komuna ku ne jemi investitorë të parë në projekte të rëndësishme, ngase me politikat që po ndërtojmë ne kemi plane konkrete që të investojmë dhe të ndihmojmë në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Këtu në Viti brenda vitit do të fillojmë dy projekte të rëndësishme. I pari do të jetë ri vitalizmi i Shtëpisë së Kulturës që jemi bashkë financues me Komisionin Evropian dhe me komunën që llogarisim gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm të finalizojmë këtë projekt’, tha ministri Shala.

Ai ka njoftuar se këtë projekt ministria e kulturës e mbështet me 230 mijë euro, komisioni evropian 167 mijë euro dhe një pjesë e investimit do ti takojë komunës së Vitisë.

Ministri Shala ka përmendur edhe investimin tjetër që do ta bëjë Ministria e Kulturës në Viti, për ndërtimin e palestrës sportive, projekt ky që do të kushtoj 1.3 milion euro dhe që do të nis brenda këtij viti, pasi që janë kryer gjitha procedurat e fazës së tenderimit dhe pritet të përzgjidhet kompania fituese për të filluar punët.

Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka thënë se kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Ministrinë e Kulturës në shumë projekte që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe mbështetjen e fushave kulturore, rinore e sportive.

Haliti ka falënderuar ministrin Shala për kontributin që po jep në realizim të projekteve në Viti në veçanti dhe në regjion në përgjithësi, për arsye se shumë projekte po realizohen në raporte tri paleshe Ministri, Komision Evropian dhe komunë. /2L ONLINE/