Ministri Shala apel bizneseve: Mos i rritni çmimet, të bëhemi bashkë për forcimin e Kosovës

Ministri Shala apel bizneseve: Mos i rritni çmimet, të bëhemi bashkë për forcimin e Kosovës

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala në një adresim për media, ka thënë se vendimi i sotëm për masë 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është marr në vazhdën e fuqizimit të prodhuesve të Kosovës dhe fuqizimit të ekonomisë.

“Ne vazhdën e përpjekjeve tona për të fuqizuar prodhuesit vendorë , për të fuqizuar ekonominë dhe shtetësinë tonë, sot me propozim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeveria vendosi që ta rrit në 100 për qind taksën e importit ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ju ftoj të gjithëve, të nderuar qytetarë të vendit tonë, prodhues, tregtar, që t’i bashkangjiteni kauzës tonë, për zhvillim të vendit, për rritjen e punësimit dhe mirëqenies për qytetarët tonë”, ka thënë ministri Shala.

Po ashtu ministri ka kërkuar nga prodhuesit që të fokusohen në ngritjen e cilësisë, duke bërë thirrje që të hulumtohet tregu dhe të gjenden alternativa.

“Të nderuar prodhues, kërkoj nga ju të fokusoheni në cilësi. Produktet duhet të arrijnë cilësinë e standardit më të lartë në mënyrë që konsumatori-qytetari i Republikës të Kosovës, mos të ketë asnjë mëdyshje në përzgjedhjen e konsumit të tyre ditorë. Të nderuar tregtarë, le të bashkohemi dhe të bëjmë zgjidhje kreative. Ta hulumtojmë tregun së bashku dhe të gjejmë vende tjera për të bashkëpunuar. Rritja e eksportit të produkteve dhe jo të mirave materiale, duhet të bëhet prioritet”, ka theksuar ministri Shala.

Ministri ka treguar se Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë duke e bllokuar Kosovën në të gjitha aspektet, duke mohuar edhe ekzistencën e Republikës së Kosovës.

“Siç e dini prodhuesit kosovar ballafaqohen me barriera të ndryshme në Serbi, produktet e të cilëve nuk mund të hyjnë në tregun e Serbisë. Sa i përket barrierave tregtare me Bosnjën janë po të njëjtat, si ato me Serbinë. Ministria që unë udhëheq e përkrahur po ashtu nga Qeveria e Kosovës, do të fokusohet në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj, duke krijuar kushte sa më të volitshme për prodhuesit dhe tregtarët vendorë. Andaj shpresojmë në bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj në rrugëtimin tone për të fuqizuar Kosovën, prodhuesin dhe tregun e saj”, ka theksuar ministri Shala.

KOMENTE