Ministri Rrahmani vlerëson lartë ndihmën e rotarianëve gjilanas (foto)
/2L ONLINE/ – Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës Imet Rrahmani ka vlerësuar lartë ndihmën që po e bëjnë rotarianët gjilanas të klubit RC Gjilani, për shëndetësinë në Anamoravë, por edhe rotarianët tjerë kudo në Kosovë dhe jashtë saj, sidomos për ndihmën në sektorin e shëndetësisë.
Kështu tha për Portalin 2L ONLINE, ministri Rrahmani me rastin e shpërndarjes së ndihmave të ndryshme që rotarianët gjilanas kishin sjellë për Gjilan e Kamenicë.
Këto ndihma ishin pjesë e një kontingjenti më të madh të ndihmave për Kosovë, të sjella nga klubet angleze të Rotary, të distriktit 1290.
Përndryshe, ministri Rrahmani tha se është shumë i gatshëm për bashkëpunim me rotarianët në Kosovë dhe me Klubin Rotary Gjilani, në veçanti për çfarëdo projekti të fushës së shëndetësisë. Ai tha se është i njohur mirë me aktivitetin rotarian jo vetëm në Kosovë por kudo në Evropë që ndihmojnë shumë në fusha të ndryshme dhe për këtë është mirënjohës.
Ai tha se edhe këto ndihma që janë sjellë për Gjilan e Kamenicë janë shumë domethënëse për t’i plotësuar nevojat e kujdesit parësor. Edhe drejtori i QKMF-së Fejzulla Berisha tha se vlerëson shumë ndihmën e rotarianëve gjilanas e ardhur përmes miqve rotarian anglezë, pasi që për më se një vit sa është drejtor i QKMF-së në Gjilan, prej RC Gjilanit po e pranon donacionin e tretë me radhë, dhe kjo është vërtetë për t’u lavdëruar angazhimi i rotarianëve gjilanas, tha ai.
Mirënjohës ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, Nexhat Hajrullahu i angazhuar aktivisht që këto ndihma të vijnë në Gjilan dhe Kamenicë. Ai tha se janë të hapur për bashkëpunim të mëtutjeshëm me rotarianët gjilanas në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushë të shëndetësisë ku edhe drejtoria do të jetë pjesë e tyre.
Sami Spahiu, kryetar i RC Gjilani, ka bërë me dije se kontingjenti i këtyre ndihmave që janë sjellë nga ky klub janë ndarë përgjysmë për nevojat e shëndetësisë primare në Gjilan dhe Kamenicë.
Ai ka bërë me dije se në këto ndihma ka pas, kompjuterë (7) me elemente përcjellëse, skaner (4), mbajtëse (karrige ndihmëse për pacientë me lëvizje të kufizuar) për pacientë (4), uniforma për punëtorë shëndetësor ( 11 thasë), paterica (6 pako), dhe elemente tjera përcjellëse.
Ai ka vlerësuar bashkëpunimin që kanë ofruar Komunat e Gjilanit dhe Kamenicës, por edhe prezencën e Mnistrit Rrahmani me rastin e ndarjes së këtyre ndihmave si dhe gatishmërinë e tij të shprehur për bashkëpunim me rotarianë.
Në Gjilan, për pranimin e ndihmave ishin edhe zyrtarë komunal të Kamenicës prirë nga Valon Maliqi, drejtori Administratës së Përgjithshme dhe Faik Rexhepaj, të cilët vlerësuan lartë angazhimet e rotarianëve gjilanas që këto ndihma të ndahen edhe për Kamenicë, për nevojat e shëndetësisë në këtë komunë.
Maliqi e Rexhepaj e vlerësojnë si të qëlluar ndihmën rotariane edhe për shëndetësinë e Kamenicës kur kemi parasysh nevojat e mëdha dhe mundësitë buxhetore të vogla që ka kjo komunë.
Drejtori Valon Maliqi, në emër të kryetarit të komunës Begzad Sinani, tha se falënderon RC Gjilanin dhe pret që bashkëpunimi me këtë klub të intensifikohet në të ardhmen në realizim të projekteve bashkërisht duke shprehur gatishmërinë e komunës për këtë. /2L ONLINE/










