DYLON

Ministri Rrahmani viziton Komunën e Kaçanikut dhe përcillen punimet në ndërtimin e QKMF-së

Avatar photo Redaksia

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm Gani Shabani dhe bashkëpunëtorët vizituan sot Komunën e Kaçanikut, ku u pritën nga Kryetari i Komunës Besim Ilazi.

Gjatë kësaj vizite, ata kanë inspektuar edhe punimet e nisura për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Kaçanik, që është një projekt i bashkë-financuar nga Ministria e Shëndetësisë, Qeveria dhe Caritas-i i Luksemburgut dhe Komuna e Kaçanikut.

EkoHigjiena

Gjatë takimit me Kryetarin e Komunës, Ministri Rrahmani tha se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që të përkrah zhvillimin e të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor në mënyrë prioritare, pavarësisht faktit se Kujdesi Parësor Shëndetësor menaxhohet nga komunat.

Ai tha se ndërtimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të re do të krijojë mundësi për shërbime më të mira shëndetësore për qytetarët e Kaçanikut, ndërsa kërkoi vëmendje me rastin e planifikimeve të ndërtimit të objekteve shëndetësore që të merren parasysh edhe planifikimet e mira si për objektin ashtu edhe për resurset njerëzore dhe të tjera.

Ministria do të vazhdojë të mbështes edhe komunat e tjera, tha Ministri Rrahmani, duke bashkëpunuar ngushtë me komunat për trajtimin me prioritet dhe çështjes së ofrimit të shërbimeve cilësore shëndetësore nëpër komunat e vendit

Kryetari i Komunës Besim Ilazi ka falënderuar Ministrin Rrahmani për vizitën e bërë duke theksuar se është ministri i parë që viziton këtë komunë në këtë mandat të ri të Qeverisë e gjithashtu edhe për mbështetjen për këtë projekt të rëndësishëm për qytetarët e Komunës së Kaçanikut si nga ish –Ministri ashtu edhe nga Ministri aktual i Shëndetësisë.

Në takim është biseduar edhe për nevojat e kujdesit parësor në Komunën e Kaçanikut, furnizimin me barna, nevojën e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në këtë komunë, shërbimet që ofrohen për qytetarët çështje me interes të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Më pas, përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Komunës kanë vizituar vendin ku po ndërtohet QKMF-ja e re, duke parë punimet që po kryhen aty.

QKMF-ja e re në Kaçanik do të jetë një objekti i tipit P+1 me sipërfaqe të përgjithshme prej 2400 metrash katror në vlerë prej 1.245.000 euro që po bashkë-financohet nga Ministria e Shëndetësisë me 650.000 euro, Komuna e Kaçanikut me 350.000 euro, Caritasi 200.000 euro dhe Ambasada e Luksemburgut do të participojë me 45.000 euro.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.