Ministri Rrahmani dhe Kryetari i Vushtrrisë Mulaku bisedojnë për inaugurimin dhe funksionalizimin e Spitalit të Vushtrrisë
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, priti sot në takim Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku, drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale Avdullah Klinaku dhe drejtorin e Spitalit “Sheikh Zayed”, Hajrullah Saraqi, me të cilët bisedoi për bashkëpunimin në shëndetësi midis kësaj komune dhe Ministrisë.
Në këtë takim u diskutua për përgatitjet e fundit që po bëhen për inaugurimin dhe funksionalizimin e Spitalit të Vushtrrisë, pas investimeve të kryera aty nga ana e Emirateve të Bashkuara Arabe, që do të bëhet në fillim të korrikut.
Ministri Rrahmani ka njoftuar Kryetarin e Vushtrrisë dhe bashkëpunëtorët e tij me angazhimet e Ministrisë për të mbështetur shërbimet shëndetësore në Komuna dhe proceset të cilat po zhvillohen.
Në takim janë diskutuar mundësi të përkrahjes së ndryshme për shërbimet komunale të nivelit primar dhe sekondar në komunën e Vushtrrisë, gjetjen e mënyrave për fuqizimin e spitalit me kuadro në interes të ofrimit të shërbimeve sa më gjithëpërfshirëse për qytetarët e kësaj komune.
Gjithashtu, u diskutuan edhe projekte që mund të realizohen në të ardhmen së bashku.
