Ministri Rrahmani dhe Ambasadorin austriak Pflander bisedojnë për kredinë austriake për shëndetësinë
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani priti sot në takim Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z. Gernot Pfandler, ku diskutuan për kredinë e butë austriake në përkrahje të shëndetësisë kosovare dhe projekte të tjera bashkëpunimi midis dy vendeve në shëndetësi.
Ministri Rrahmani ka falënderuar Ambasdorin Pfandler për ndihmën që Austria është duke i dhënë shëndetësisë kosovare me projekte konkrete, sidomos në fushën e shëndetit të nënës dhe fëmijës, edukimit të vazhduar profesional të profesionistëve shëndetësorë kosovarë si dhe interesimit në ofrimin e mbështetjes në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore për institucionet shëndetësore të Kosovës.
Ambasadori austriak Pfandler ka shprehur përkushtimin e shtetit të tij për përkrahje të Kosovës, në veçanti në fushën e shëndetësisë, por njëkohësisht ka shprehur shqetësimin e tij për mos ratifikimin nga ana e Kuvendit të Kosovës të Marrëveshjes për bashkëpunim financiar që parashihte lejimin e një kredie me kushte lehtësuese nga shteti austriak për shëndetësinë, e cila ishte nënshkruar nga Ministrat e financave të dy vendeve respektive.
Ambasadori Pfandler dhe Ministri Rrahmani janë pajtuar që të intensifikohen aktivitetet me qëllim që autoritetet në Kosovë t’i hapin rrugë ratifikimit të Marrëveshjes në Kuvend, me qëllim që përmes mjeteve të lejuara nga kjo kredi, të blihen pajisje për zhvillimin e projekteve shëndetësore në Republikën e Kosovës, në veçanti për shërbimet deficitare.
Në takim është biseduar edhe për projekte të tjera bashkëpunimi në shëndetësi me interes për dy shtetet.
