/2L ONLINE/ – Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani priti sot në takim kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, me të cilin ka biseduar për Kujdesin Parësor Shëndetësor të kësaj komune dhe mundësitë e përkrahjes së avansimit të shërbimeve shëndetësore në këtë komunë.
Gjatë takimit, Ministri Rrahmani e ka njoftuar Kryetarin e Obiliqit me angazhimet e Ministrisë për të fokusuar vëmendjen në Kujdesin Parësor Shëndetësor si shtyllë të sistemit shëndetësor dhe përkrahjen konkrete që u është dhënë komunave në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe kapaciteteve të tjera.
Në këtë aspekt, Ministri tha se, duke marrë parasysh specifikat që ka Komuna e Obiliqit, Ministria do të angazhohet që të përkrah këtë komunë brenda buxhetit në dispozicion që ka të bëjë me projekte mbështetëse për kujdesin shëndetësor në komuna.
Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi ka theksuar se për shërbimet shëndetësore të kësaj komune është e nevojshme sigurimi i një autoambulance, përkrahje në përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimit profesional të kuadrit shëndetësor. /2L ONLINE/