Para se të nisej në udhëtimin zyrtar për në Kanada, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti sot në takim Shefen e Operacioneve Aktuale të Divizionit Operativ të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, znj. Ariella Viehe. Me këtë rast, Ministri Mehaj e njoftoi znj. Viehe me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, si dhe planet për të ardhmen.
Në vazhdim, ai e njoftoi me bashkëpunimin e ngushtë me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), duke i shprehur mirënjohjen e lartë për mbështetjen e deritashme për të gjitha proceset zhvillimore në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK.
Ndër të tjera, Ministri Mehaj me znj. Viehe, diskutuan për mjedisin aktual të sigurisë në rajon, si dhe sfidat dhe kërcënimet që e cenojnë atë, duke vazhduar diskutimin edhe për zhvillimet gjeopolitike me theks të veçantë për krizën e Ukrainës.
Përveç bashkëpunimit të shkëlqyeshëm, e potencoi edhe rolin shumë të rëndësishëm të NATO-s me operacionin KFOR në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.
Ministri Mehaj, duke u ndërlidhur me angazhimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve tjera të vendit, e njoftoi znj. Viehe edhe me miratimin e plotësim/ndryshimit të tri ligjeve themelore, si dhe për angazhimet shtetërore integruese të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe, si rrugë drejtë procesit për anëtarësim në NATO. /2LONLINE/