Ministri Maqedonci takohet me presidentin Erdogan, pesë kadetë nga Kosova diplomojnë në Akademinë Ushtarake
Ministri në detyrë i Ministrisë së Mbrojtjes, Ejup Maqedonci mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Akademisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, me rastin e shënimit të Ditës së Fitores së Republikës së Turqisë.
Në kuadër të ceremonisë, Ministri Maqedonci takoi Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, të cilëve ua uroi Ditën e Fitores së Republikës së Turqisë.
Një moment i veçantë i ceremonisë ishte diplomimi i pesë kadetëve nga Republika e Kosovës, të cilët përfunduan me sukses studimet e tyre ushtarake.
Ministri Maqedonci, i përgëzoi për përkushtimin, disiplinën dhe suksesin e treguar gjatë studimeve, duke u uruar një karrierë të suksesshme në shërbim të vendit.
Sipas Ministrit Maqedonci, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë është i rëndësishëm dhe mbështetja në edukim, trajnim dhe përgatitje profesionale të kuadrove të reja ushtarake përbën një nga shembujt konkretë të këtij bashkëpunimi. /2LONLINE/
