DYLON

Ministri Maqedonci nderohet në Sallën e Famës (Hall of Fame)…

Ministri Maqedonci nderohet në Sallën e Famës (Hall of Fame)…
Avatar photo Redaksia

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, është nderuar me përfshirje në Sallën e Famës (Hall of Fame) të Kolegjit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (U.S. Army Command and General Staff College), e lajmin e ka bërë të ditur vetë Maqedonci përmes një postimi në Facebook,

Ja postimi i tij i plotë:

EkoHigjiena

Shumë i nderuar për përfshirjen dhe nderimin në Sallën e Famës (Hall of Fame), në Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (U.S. Army Command and General Staff College).

Në një ceremoni solemne në Fort Leavenworth, u zbulua portreti im fotografik që vendoset në galerinë e personaliteteve të shquara dhe pranova certifikatën e nderit në shenjë mirënjohjeje për arritje të jashtëzakonshme në shërbim të vendit. Kjo është një mirënjohje dhe nderim për popullin dhe shtetin e Kosovës, si dhe për mua si ushtarak dhe Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës.

Këtë mirënjohje ia përkushtoj bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shokëve me të cilët kam shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të gjithë oficerëve dhe pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe popullit të atdheut tim.

Tre muaj më parë, më 14 tetor të vitit 2025, portreti im ishte vendosur edhe në Sallën e Famës të Kolegjit të Luftës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (U.S. Army War College), në Pensilvani.

Duke qenë ushtaraku i parë nga Kosova që i janë bërë këto nderime në këto dy kolegje prestigjioze amerikane, ndihem thellësisht krenar për mundësitë që më janë dhënë ndër vite për t’i shërbyer vendit tim.

Me përgjegjësi ndaj detyrës, përkushtim ndaj misionit, dashuri ndaj atdheut dhe familjes time, mbetem në shërbimin tuaj!